Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka bërë kërkesë Sekretariatit të Partisë Socialiste dhe SPAK-ut, që të marrë pjesë në Asamblenë e PS-së që zhvillohet të shtunën, më 14 nëntor. Ai kërkon që të jetë prezent fizikisht ose përmes një video-konference.
Këtë zhvillim e komentoi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Blendi Klosi, në një intervistë me gazetarin Besard Jacaj në Klan News.
I pyetur se çfarë përgjigje do kthente për Veliajn, Klosi u përgjigj se çështja do diskutohet në forume, por shtoi se problem mbetet paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Klosi shtoi se Partia Socialiste ka qenë ajo, që ka ngritur shqetësimin e paraburgimit si masë ekstreme të përdorur tej mase në Shqipëri, aq sa ngjan në këtë aspekt me vende si Rusia. Sipas tij, ngërçin e ka krijuar drejtësia.
“Po, u njoha me atë letër edhe realisht është një moment që ne do ta diskutojmë në forumet tona, por raporti me paraburgimin një funksionari të lartë, raporti me paraburgimin e kryetarit Bashkisë së Tiranës të zgjedhur me votë, në kohën kur proceset e hetimet të tij po vazhdonin, ne e kemi kundërshtuar që ditën e parë dhe kjo jo vetëm për faktin që ndodhi paraburgimi, por për faktin e moslejimit të funksioneve të ushtrimit të detyrave të tij si kryetar i zgjedhur i dhjetëra mijëra qytetarëve, në një qytet, i cili po e ndjen çdo ditë e më tepër nevojën e të pasurit një kryetar në detyrë. Ne e kemi kundërshtuar këtë situatë.
Kemi bërë përpjekje jo të vogla për të krijuar një bazë ligjore, që ta kundërshtojë procesin e paraburgimit si masë e parë. Jemi jashtëzakonisht keq krahasuar me gjithë vendet e tjera, Edhe me Rusinë jemi më keq sa i përket njerëzve të paraburgosur, para se ata të marrin dënimin. Jemi në një situatë krejt absurde, që ky raport edhe me mbledhjen e ardhshme të Asamblesë nuk është një raport me… le të themi Asamblenë, por me drejtësinë, e cila ka marrë atë vendim që ka marrë. Pra, ne e kemi kundërshtuar dhe e kemi cilësuar si një nga momentet që duhet të kemi reflektim është kjo praktikë, tashmë e draftuar dhe e shkruar në konsultim me publikun dhe nuk është bërë një praktikë shqiptare, por ei punuar me ekspertë europianë, italianë dhe francezë për të pasur një qëndrim të plotë sa i përket këtij raporti me të vërtetën. Raporti i kërkesës që ju më përmendi, është një raport që ta të bëjë me organet e drejtësisë dhe nuk ka të bëjë me strukturat e partisë.
Pastaj le ta gjykojmë në bazë të vendimit që marrin organet e drejtësisë. Ne nuk gjykojmë organet e drejtësisë së re. Ato e kanë krijuar këtë ngërç, nuk e kanë krijuar forumet e Partisë Socialiste“, tha ai.
I pyetur për akuzat e Veliajt për transferimin në burgun e Fierit dhe vizitën e ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, deklaroi se nuk mund të merret me individë të caktuar.
Sipas Klosit, PS është një parti politike, që ka për detyrë të qeverisë sa më mirë dhe të punojë për integrimin europian të Shqipërisë.
“Jam personi i gabuar që të përgjigjem për këtë problem. Nuk mund të flas dot për individë të caktuar. PS funksionon me forume dhe ka raportin e saj me qytetarët. Detyra jonë është që të qeverisim, të miratojmë buxhetin 10 miliardë euro, të integrojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ne duam të përfundojmë reformat”, u shpreh Klosi.
/tvklan.al












Botërori 2026 