Polemikat e shkaktuara nga komentet e Kylian Mbappé-s për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun vazhdojnë të kenë pasoja, ndërsa në qendër të kritikave tashmë është vendosur edhe Real Madridi. Klubi spanjoll po përballet me reagime të ashpra në Kinë për mënyrën se si menaxhoi krizën, duke u akuzuar për standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve të ndjeshme.
Mediat zyrtare dhe platformat kineze e kanë kritikuar klubin madrilen për reagimin e vonuar, duke e krahasuar qëndrimin e tij në rastin e Mbappé-s me reagimet e mëparshme ndaj incidenteve raciste kundër Vinícius Júnior.
Real Madridi publikoi një kërkimfalje, por kjo ndodhi vetëm 48 orë pas shpërthimit të polemikave. Për mediat kineze, vonesa ishte e pajustifikueshme, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes në vend.
Kritikat u përqendruan te fakti se klubi kishte reaguar më shpejt dhe më vendosmërisht në rastet e racizmit ndaj Viníciusit, ndërsa në situatën e Mbappé-s fillimisht kishte zgjedhur të heshtte.
Edhe gazeta “Marca” raportoi se mediat kineze e lidhën këtë sjellje me interesat ekonomike të klubit, duke ngritur dyshime se Real Madridi po përpiqej të ruante njëkohësisht vlerën komerciale të yllit të tij dhe marrëdhëniet me tregun kinez.
Ndërkohë, gazeta “Guangxi News” paralajmëroi se rikthimi i besimit ndaj klubit nuk do të jetë i lehtë dhe se kërkohen masa konkrete, përtej deklaratave publike. Sulmuesi francez shkaktoi zemërim të madh në Kinë pasi, gjatë një shakaje, iu referua Mao Ce Dunit si “diktatori kinez”.
Pas reagimeve të shumta negative, Mbappé kërkoi falje, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të shmangur pasojat. Platformat kineze ndërmorën masa për të kufizuar imazhet e futbollistit, disa kompani shkëputen bashkëpunimin me 25-vjeçarin, ndërsa janë kufizuar ndeshjet e La Ligës në territorin kinez.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
