Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në videon e siguruar nga gazetarja e Klan News Glidona Daci shihet Cani teksa futet në ambientet e SPAK, aty ku siç raportohet është thirrur për t’u marrë në pyetje lidhur me koncesionin e sterilizimit.
Cani ka shërbyer si ministër Financash nga viti 2013 deri në vitin 2016 dhe sipas Dacit ai do të japë sqarime lidhur me një shkresë të firmosur në vitin 2015. Cani ka deklaruar më parë se në kohën që shërbente si ministër ai ka kërkuar që koncesioni për sterilizimin e seteve kirurgjikale të bëhej si tender i thjeshtë, në mënyrë që të shmangeshin kostot.
Herën e fundit që Cani u thirr në SPAK, më 30 Janar të këtij viti, ai dha përgjigjie sa i takon çështjes që ka lidhje me privatizimin e një furre.
Kujtojmë se sot GJKKO ka lëshuar masa sigurie për 8 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë dhe ish-zv.ministrin Klodian Rrjepja. Për këtë të fundit është caktuar masa e arrestit me burg./tvklan.al












Botërori 2026 
