Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani është thirrur në SPAK ku ka qëndruar për rreth 2 orë e gjysmë.

Klan News raporton se Cani është thirrur në SPAK përsa i përket një çështje që ka lidhje me privatizimin e një ish-furre.

Pas daljes nga SPAK, ish-ministri Cani ka dhënë një prononcim për mediat teksa ka thënë se nuk është surprizuar që është pyetur për këtë çështje teksa ka deklaruar se është i gatshëm të paraqitet për të treguar vetëm të vërtetën.

I pyetur se çfarë pret nga SPAK përsa i përket çështjes së inceneratorëve, Cani ka thënë se pret vetëm drejtësi.

Pyetje: U surprizuat që u pyetët ndërkohë për privatizimin e një ish-furre dhe ndërkohë ju duhet të ishit pyetur…?

Shkëlqim Cani: Në jetën time kam kaluar kaq shumë saqë nuk më surprizon asgjë. Unë jam i gatshëm të paraqitem për të treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe kaq. Ku është surpriza?

Pyetje: Çfarë prisni nga SPAK përsa i takon çështjes së inceneratorëve?

Shkëlqim Cani: Nga SPAK pres drejtësi, rregull.

I pyetur nga gazetarët se duke qenë një ndër ish-ministrat e vetëm që ka dalë kundër aferës së inceneratorëve, a është thirrur nga SPAK në lidhje me këtë çështje, Cani e ka mohuar këtë teksa ka deklaruar se nuk ka qenë kjo çështja për të cilën është marrë në pyetje në SPAK.

Pyetje: Ju jeni një ndër ish-ministrat e vetëm që jeni thirrur kundër aferës së inceneratorëve, a jeni thirrur nga SPAK për këtë aferë dhe pse keni dalë kundër?

Shkëlqim Cani: Ta bëjmë me radhë. Ta mbyll këtë që është sekret hetimor dhe pastaj kur të doni, do të vij për atë, do të më thërrasin. Nuk më kanë thirrur për inceneratorët.

Pyetje: Kemi një shkresë këtu që në fakt ka lidhje edhe me një firmë që ju keni hedhur në 2014-ën për shkak të inceneratorëve dhe ngarkohet një përgjegjësi për ministrat e tjerë dhe që deri diku rëndon dhe pozitat e Arben Ahmetajt.

Shkëlqim Cani: Kjo shkresë ka dalë dhe është publikuar. Nuk jua shpjegoj dot.

Pyetje: Çfarë pozicioni ka pasur Arben Ahmetaj në këtë shkresë?

Shkëlqim Cani: Nuk e di. Pyesni Kryeministrin për pozicionin e një Ministri. Mua do të më pyesni?

Pyetje: Kjo shkresë deri diku e rëndon?

Shkëlqim Cani: Nuk e di.

Pyetje: Ju e dini shumë mirë se çfarë keni firmosur apo jo?

Shkëlqim Cani: Sigurisht. Unë kam firmosur një shkresë që thotë atë që është publikuar. Nuk ka asnjë rëndësi se çfarë them unë kur është e shkruar. Këtë kam firmosur, këtë që thatë ju.

Pyetje: Ju prisni të thirreni para Ahmetajt në SPAK apo pas?

Shkëlqim Cani: Atë e di SPAK. Pyesni SPAK se kur do të më thërrasë dhe a do të më thërrasë apo jo./tvklan.al

/tvklan.al