Kosova ka pësuar humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve, duke u mposhtur 3-1 nga Austria në Vjenë.
Austria e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 23-të me David Affengruber, i cili shënoi me kokë pas një goditjeje standarde.
Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, pasi Junior Adamu realizoi në minutën e dytë të shtesës.
Kosova tentoi të reagonte pas pushimit, por Austria goditi sërish në minutën e 61-të. Carney Chukwuemeka përfitoi nga një aksion në zonë dhe çoi rezultatin në 3-0.
“Dardanët” arritën të shënonin golin e nderit në minutën e 83-të. Edon Zhegrova mori përsipër ekzekutimin e një penalltie dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke ngushtuar diferencën në 3-1.
Kosova pati disa momente të mira, por nuk arriti të ndryshonte fatin e takimit. Austria ishte më efikase në rastet e krijuara dhe e menaxhoi avantazhin deri në vërshëllimën e fundit.
Trajneri Franco Foda pranoi se Austria i shfrytëzoi shumë mirë gabimet e Kosovës, ndërsa shtoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e saj më të mirë.
Humbja në Vjenë vjen pas fitores 1-0 ndaj Irlandës dhe e lë Kosovën me tre pikë pas dy ndeshjeve në grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Ndeshja e radhës për “Dardanët” është ndaj Izraelit, përpara përballjes së kthimit me Austrinë në Prishtinë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
