Kosova mund të humbasë mbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian nëse nuk arrin të përmbushë reformat e mbetura nga periudha 2024-2025 deri në fund të këtij viti. Sipas ekspertëve, kjo nuk do të thotë vetëm humbje financiare por hapa pas në zbatimin e reformave të domosdoshme për vendin.

“Janë të 27 reformat që janë të parapara deri në fund të këtij viti, shkojnë në vlerë mbi 165 milionë euro. Duke marrë parasysh që ne veç kemi humbur rreth 50 milionë euro në afatin e qershorit, tani nëse nuk zbatohen këto reforma, ne rrezikojmë të humbim shuma të mëdha të mjeteve që kalojnë përmbi 100 milionë euro, pasi që kujtoj që një numër i reformave do ishte dashur të zbatoheshin në një formë apo tjetër”, tha Qemajl Marmullakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Një ndër reformat e dakortësuar me Bashkimin Europian është edhe Kodi Civil, mosmiratimi i të cilit mund, ti kushtojë Kosovës mbi gjashtë milionë euro.

“Po, në rast të mosmiratimit të Kodit Civil, atëherë duhet pasur parasysh si fillim që Kodi Civil, si parim i përgjithshëm është i përfshirë në kuadër të agjendës së reformave të Planit të Rritjes, agjendë e cila është dakorduar me Bashkimin Evropian. Edhe parimet se si duhet dhe çfarë duhet të ngërthejnë Kodi Civil, janë të përfshira në kuadër të agjendës së reformave. Moszbatimi i tij na kujton që përveç faktit që nuk do të kemi legjislacionin civil të kodifikuar në një instrument ligjor, do të pasojë edhe me humbjen e një shume të caktuar të mjeteve, që kujtoj që është mbi 6 milionë euro, të cilat janë të dedikuara vetëm për miratimin e Kodit Civil”, tha Marmullakaj.

Më herët kryenegociatori Jeton Zulfaj theksoi se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026.

Klan News

/tvklan.al