Pankarta me mbishkrimet “Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale na masakroi të vërtetën!” dhe “Evropë, u bënë 6 vjet që po e tradhton besimin e Kosovës në drejtësinë tënde!”, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë vendosur te ndërtesa e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kjo është bërë në aksionin simbolik që OVL-UÇK e ka zhvilluar me rastin e 6 vjetorit të arrestimit të katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Platforma “Liria” nëpërmjet një konference ka bërë të ditur se i është drejtuar Parlamentit Evropian, që të shqyrtojnë seriozisht shqetësimet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Platforma nuk po kërkon imunitet e as përjashtim nga përgjegjësia individuale por çdo vendim gjyqësor të mbështetet në standardet më të larta të drejtësisë dhe të drejtave themelore njerëzore”.

E djali i Jakup Krasniqit, deputeti Altin Krasniqi, ka thënë ish-krerët e UÇK-së janë pengje të një drejtësie ndërkombëtare.

Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së Vlora Çitaku e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm aktgjykimin e shkallës së parë.

“Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë. Por historia jonë nuk fillon në sallat e gjyqit në Hagë. Dhe nuk mund të rishkruhet nga një aktgjykim!”, tha ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku.

Katër ish-krerët e UÇK-së nga shkalla e parë e gjykatës janë dënuar me 81 vjet burgim.

Kosova tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e strategjisë kombëtare për mbrojtjen e katërshes së UÇK-së në Gjykatën e Apelit.

/tvklan.al