Të enjten në mbrëmje shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë kanë mundur të ndjekin në valët e Televizionit Kombëtar Klan, Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe disa televizioneve lokale në Kosovë e Maqedoni një emision maratonë ku të pranishëm kanë qenë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pavarësisht distancës së madhe gjeografike opinioni i gazetarit Blendi Fevziu ka vendosur përballë njëri-tjetrit dhe njëkohësisht përballë analistëve të njohur politik dy kryeministrat në dy panele të ndryshme, njëri në Tiranë dhe tjetri në Prishtinë për të folur për zhvillimet politike të dy shteteve shqiptare.

Duke qenë një nga temat më të diskutuara gjatë vitit të kaluar kryeministri Berisha i është përgjigjur interesit të analistëve, por dhe publikut të gjerë që kanë dërguar pyetje të shumta me anë të SMS-ve për marrëdhëniet aktuale të qeverisë së tij me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas miratimit jo konsensual të ligjit të lustracionit nga ana e mazhorancës së djathtë.

Sali Berisha: “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë kulmuar me këtë qeveri. Kam patur një dialog të hapur dhe miqësor me qeverinë e Shteteve të Bashkuara për ligjin, por në asnjë rast në asnjë rrethanë këto nuk janë ligje që nuk kritikohen. E vërteta e këtyre ligjeve këta janë ligje të kritikueshme, por këto janë ligje jetike për ata të cilët kanë përjetuar një dramë 40-50 vjeçare si Shqipëria”.

Blendi Fevziu: “Si është mbyllur biseda zoti Berisha?”

Sali Berisha: “Biseda është mbyllur me atë rrjedhë që ka….”.

Blendi Fevziu: “Po në rast se presidenti ua kthen mbrapsht ligjin zoti Berisha?”

Sali Berisha: “Do ta votojmë që të nesërmen pa asnjë lloj hezitimi. Nuk mund të ketë, nuk ka asnjë gjë që mund të pengojë këtë vend të ndahet nga një krim”.

I pyetur në lidhje me hapjen e dosjeve në Kosovë kryeministri Thaçi pranoi se ky proces kërkon debat politik dhe kohë gjithashtu.

Hashim Thaçi: “Natyrisht se dosjet janë, Beograd, nuk janë në Prishtinë, mirëpo sa i përket ligjit mendoj që kjo çështje i takon një periudhe tjetër diskutimi, një diskutimi më të gjerë politik dhe qytetar”.

Berisha ka folur dhe për marrëdhëniet me prokuroren e përgjithshme, Ina Rama, si dhe ka dhënë opinion e tij mbi hetimet që prokuroria po kryen për dy çështje të rëndësishme, si ajo për abuzimet në rrugën Durrës-Kukës dhe tragjedinë e Gërdecit.

Ervin Salianji: “Zoti Berisha jeni penduar për votën që i keni dhënë zonjës Ina Rama si prokurore e përgjithshme?”

Sali Berisha: “Po të kthehesha në atë kohë sërish do të votoja sepse në ato parametra që u paraqit, mu paraqit unë s’kisha motiv për të mos e votuar. Nuk më impresionon përdorimi politik. Nuk besoj të ketë shqiptarë që të thotë se nuk ka përdorim politik. Problem për mua thelbësor është qëllimi ndaj krimit. Në qoftë se shkojmë dhe shohim se merren në gjykim akte kolektive kjo përbën turpin e kohërave, e cila është e tëra në kontekstin e armiqësisë ndaj projektit. Ka ndodhur një aksident tragjik. Në qoftë se prokuroria ka lënë gjë pa nxjerrë nga dosja, përfshi dhe email-et e karakterit tërësisht pothuaj privat, e të tjerë e të tjerë do kishe të drejtë, por prokuroria për fat të keq nuk ka qenë e aftë të japë qoftë dhe një fakt të vetëm orientuar në atë mënyrë politikisht për t’u përmirësuar. Më tregon ti dot një dosje që kjo prokurori ka lëvizur të sistemit më parë kleptokratik. Janë mbi 300 dosje. S’ka lëviz një dosje, më fal, dhe megjithatë të jesh i bindur jam mirënjohës për dosjet që ka lëvizur dhe ka vënë në lëvizje të krahut të qeverisë dhe të administratës…”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka