Shpresa për zhbllokim të negociatave me BE

Pritje në aeroport, shtrëngim duarsh dhe njohja e dy kryeministrave, ministrave dhe përfaqësuesve të Kuvendit. Për Kryeministrat e rinj të Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, ky është takimi i parë dypalësh që nga marrja e pozicioneve, që interpretohet si sinjal se tek të dyja palët tani ka energji të re dhe qasje më fleksibile për tejkalimin e bllokadës që Sofja e ka vendos për negociatat evropiane të Shkupit. Një hap është bërë që ditën e sotme.

 “U morëm vesh se Bullgaria pranon ta përdorë emrin e shkurtër “Maqedonia e Veriut”, njësoj si emrin e gjatë dhe i ka njoftuar Kombet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut ka dërguar notë verbale te Kombet e Bashkuara për përdorimin e emrin të gjatë dhe të shkurtër, në të cilën vërtetohet se nuk ka pretendime territoriale. Hapi i radhës është ta finalizojmë edhe Marrëveshjen për bashkëpunim ndërkufitar, hapjen e Klepalos, lëvizje më të shpeshta, transport, turizëm, lidhjet e qytetarëve.”

Çështjet tjera, më të vështira, do të lihen për më tej, kur në nivel javor do të bisedojnë grupet e punës, të ndara sipas fushave – infrastrukturë, ekonomi, biznes, eurointegrime, duke përfshirë edhe Komisionin historik që ka punuar deri më tani, më shumë me zënka sesa me marrëveshje.

 “Unë jam optimist për aktivitetet tona të përbashkëta në të ardhmen, grupet e punës do të takohen shpesh, për të gjitha takimet është arritur marrëveshje, ndërsa unë pres të kemi rezultate të mira shumë shpejt. Për dallim nga e kaluara, këto takime dypalëshe janë mundësi për të gjitha komisionet, duke përfshirë edhe atë historik, t’u kushtojnë më shumë rëndësi çështjeve që do të na afrojnë, ndërsa për çështjet që nuk patën zgjidhje do të mundësojmë periudhë të vazhduar që të arrihet zgjidhje në të ardhmen.”

Sipas Petkovit Sofja mbetet në definicionin për gjuhët nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë e vitit 2017 – të numëruara në Kushtetutë, duke mos u emëruar. Kovaçevski përsëriti se në Kushtetutë është definuar gjuha maqedonase, që është pjesë edhe e Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera në të cilat Maqedonia e Veriut është anëtare. Takimi i radhës maqedonas – bullgar është më 25 janar, në mbledhje të përbashkët të qeverive, për herë të dytë në 30 vitet e kaluara, pasi Bullgaria e para e pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan