Pas vizitës në Himarë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili zhvillon vizitë në vendin tonë për t’u takuar me minoritetin grek, ka shkuar në fshatin Derviçan të Dropullit në Gjirokastër. Aty është pritur nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
Rama në Derviçan: Pas 30 vitesh një Kryeministër i Greqisë po viziton minoritetin grek në Shqipëri
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar takime me minoritetin grek në fshatin Derviçan të Dropullit në Gjirokastër ku është pritur nga Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama e ka falenderuar Kryeministrin grek Mitsotakis për vizitën. Kryeministri Rama po ashtu i ka shprehur mirënjohjen teksa i ka thënë se pas 30 vitesh, një kryeministër grek po viziton minoritetin grek në Shqipëri.
Rama ka shtuar se i pari dhe i fundit Kryeministër i Greqisë që ka vizituar këto zona ka qenë babi i ndjerë i kryeministrit aktual, Konstandinos Mitsotakis.
Edi Rama: Ju kisha premtuar se do të ju sillja këtu të birin e të atit dhe ja ku e keni dhe është vërtetë prekëse dhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit që të jem sot këtu pas thuajse 30 vjetësh që i pari dhe i fundit kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat në komunitet, babai i i ndjerë i kryeministrit aktual i cili e ka pritur këtë ftesë me kënaqësi.
Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin, por moti ishte i keq dhe kështu u detyruam që ta shtyjmë, por edhe më mirë akoma sepse nuk besoj se ka një ditë më të bukur për të ardhur këtu se sa në një vigjilje Krishtlindjesh.
Falenderoj banorët dhe kryetarin e bashkisë që ka siguruar bashkë me ju, nuk e di si e keni realizuar që të jetë ky diell kaq i bukur. Faleminderit për këtë mikëpritjen fantastike, unë nuk kam pse të mos përfitoj nga rasti dhe ta shijoj këtë pamje të të gjithëve ju për t’i dëshmuar kryeministrit të gjithë bukurinë e mirëseardhjes dhe për ta celebrauar këtë moment të rëndësishëm.
Për ne minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pazgjidhshme të komuniteteve tona dhe dua t’i përshëndes ata qytetarë si ju me kombësi greke që i kanë dhënë shumë vendit dhe që falë lirisë dhe hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë izolimi, mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit dhe më vjen mirë që përfaqësuesit e këtij minoriteti janë ndër më të rëndësishmit në ekonominë tonë. Më vjen mirë që nga ky komunitet ka aktorë, skulptorë të cilët aktivitetin e tyre e zhvillojnë në Janinë. Në mesin tonë kemi dhe djallin vetë, Spiro Dhimën, nuk kanë lënë gjë pa i thënë, por thotë një shprehje çfarë nuk të vret të bën më të fortë, kështu që ti më i fortë bëhesh.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama nuk i ka kursyer batutat teksa i ka thënë Kryeministrit grek Mitsotakis se asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë banorë për të.
Rama-Mitsotakisit: Kjo është dita jote dhe me shumë respekt dhe shumë dashuri unë po bëj dhe organizatorin e lëvizjeve, fotografive sepse është me të vërtetë nder. Asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë për mua që ta dish, e kemi të për shkak që të konsiderojmë mik dhe vëlla këtu në tokën tonë.
Mitsotakis në Derviçan: Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt BE
Përpara banorëve të Derviçanit në Dropull dhe në krah të Kryeministrit Edi Rama, kreu i qeverisë së Greqisë Kyriakos Mitsotakis shprehu konsideratën për mikëpritjen dhe kujtoi momentin kur 31 vite më parë ishte babai i tij i ndjerë, Kryeministër i Greqisë në atë kohë, Kostandinos Mitsotakis që vizionte zonën e Dropullit.
“Ju falenderoj për mikëpritjen tuaj. Kisha thënë që do vija tju takoja para fundit të vitit dhe e mbajta fjalën. Ëshgtë moment i rëndësishëm për mua dhe nuk mund të mos kujtoj kur para 31 vitesh, ishte Dhjetor, erdhi babai im Kostandino Mitsotakis”.
Kryeministri grek vlerësoi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe shprehu mbështetjen e Greqisë për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Nuk është e rastësishme që sot këtu janë dy flamuj, shqiptar dhe ai grek, dhe mes tyre është ai i Bashkimit Europian, rruga e integrimit në BE për Shqipërinë nuk do jetë e lehtë, por do jetë një rrugë që Greqia do të jetë në krah të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri grek Mitsotakis.
Sheshi në Derviçan do mbajë emrin e babait të Mitsotakis, Rama-Kryeministrit grek: Premto që do vish në inaugurim
Sheshi në Derviçan të Dropullit do të mbajë emrin e babait të ndjerë të Kyriakos Mitsotakis pasi tí nënshtrohet Rilindjes urbane dhe në nder të tij do të vendoset edhe një bust.
Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Derviçan së bashku me Kryeministrin grek Mitsotakis ditën e sotme.
Rama i ka kërkuar homologut të tij grek që të premtojë se në ditën e inaugurimit të sheshit në Derviçan do të jetë sërish i pranishëm.
“Dëshiroj që këtu përpara jush Kryeministri t’ju japë fjalën, bashkë me kryetarin e Bashkisë, ne kemi përgatitur projektin e Rilindjes urbane të gjithë sheshit kryesor i cili do të mbajë emrin e babait të Kryeministrit, dhe në nderim të tij do të vendoset edhe busti i Kryeministrit. Kështu që për të merituar një bust në të ardhmen, Kyriakos duhet të vijë nja 5 herë këtu, kështu që e para për ta bërë këtë duhet të fitojë zgjedhjet njëherë se kështu si mik mund të vijë sa të dojë, por po nuk ishte Kryeministër bust nuk ka. Dhe e dyta, në përvjetorin e të atit, ne shpresojmë ta kemi këtu kështu që Kyriakos jep fjalën që do vish këtu për të inauguruar bashkë me mua, se unë do jem prapë Kryeministër, bashkë me mua dhe me kryetarin e Bashkisë sheshin edhe vendosjen e bustit të të ndjerit dhe të paharruarit këtu në këtë zonë, babait tuaj”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
***
Më herët gjatë ditës, Kyriakos Mitsotakis mbërriti në stadiumin e Himarës me helikopter ushtarak nga Janina dhe mbajti një fjalim të shkurtër përpara komunitetit grek në qendër të qytetit.
Kreu i qeverisë greke veç fjalive për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e intergrimit në BE, garantoi se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë të mundur respektimin e të drejtave të minioritetit grek në Shqipëri.
Aktualisht nuk ka asnjë çështje që mund të tregojë se janë nëpërkëmbur të drejtat e këtij komuniteti në vendin tonë.
Ajo që u vu re është se kryebashkiaku socialist i Himarës nuk doli për të pritur Mitsotakisin, vizita e të cilit u organizua nga Omonia.
Kryeministrit grek do t’’i bashkohet dhe Kryeministri Rama. Të dy së bashku do të jenë në Derviçan për të zhvilluar të tjera takime me minioritetin grek në këto zona.
/tvklan.al
/tvklan.al












Botërori 2026 
