Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot më 26 shtator një takim me shqiptarët në New York.
Rama tha se në këtë vend ka qenë vite më parë dhe se shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë e se shumë iniciativa janë ndërmarrë.
Kreu i qeverisë komentoi projektin në Zvërnec dhe Sazan, duke deklaruar se është i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Rama tha se 4 miliardë euro do të hyjnë në ekonominë e Shqipërisë, duke sjellë rritje financiare për vendin tonë.
“Ne duam investime serioze, që të thithim turistin me të ardhura të larta. Projekti në Zvërnec dhe ai në Sazan janë të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Vetëm investimi në Zvërnec sjell për ekonominë 4 miliardë euro. Ne po punojmë që të kemi studim profesional, për të kuptuar rreziqet reale dhe për mjedisin”, u shpreh kryeministri Rama.
Deklaroi se regjistri kombëtar i diasporës është dritarja e investimit në Shqipëri. Numri një i qeverisë shqiptare nënvizoi se shumë iniciativa janë ndërmarrë për diasporën.
“Unë kam qenë vite më parë me Hashim Thaçin këtu. Besoj që nga atëherë kanë ndodhur shumë gjëra pozitive për diasporën. Tashmë nuk ka vetëm një lidhje ekonomike mes shqiptarëve në diasporë dhe Shqipërisë. Dërgesat financiare të diasporës patjetër që janë të rëndësishme, pasi janë kujtesë për njerëzit në Shqipëri dhe për atdheun.
90 përqind e familjeve shqiptare kanë përfituar nga dispora dhe për këtë do jemi mirënjohës pa fund. Diaspora tashmë nuk është vetëm kujtesë, por është një partneritet që ka hyrë në rrugën e zhvillimit, kemi organe të një trupi që kemi ndërtuar, kemi institucione të diasporës. Sot kemi samite, ku bëhen balance dhe merren përsipër angazhime. Ne kemi edhe strategjinë Diaspora 2030, që ka në përmbajtjen e vet kujdesin për shqiptarët që jetojnë jashtë.
Kemi nisur të mbajmë një regjistër të diasporës, për ata që duan të investojnë në Shqipëri. Ky ndryshim në marrëdhënie ka ndodhur në mendësi. Regjistri kombëtar i diasporës është dritarja e investimit në Shqipëri. Vezët që m’u hodhën janë një shenjë, se ka dinamikë. Një nga hedhësit e vezëve kishte ardhur nga Anglia dhe shpresoj të ketë kaluar mirë me policinë e New Yorkut. Unë u ndodha njësoj si në Shqipëri, edhe policia e protestuesit, njësoj si në atdhe”, u shpreh Rama.
Foli edhe për projektet më të rëndësishme në turizëm në Shqipëri. Komentoi po ashtu Paketën e Maleve. Rama nënvizoi se kjo paketë shënon moment të artë për Shqipërinë.
“Çfarë nuk thuhet për Paketën e Maleve, thuhet se ne duam të vjedhim e të grabisim. Thuhet edhe se një mal do e çojmë në një mal tjetër. Por ne po mendojmë për investime, për të gjithë ata që kanë prona në malet tona. Paketa e Maleve është mundësia që të investosh në tokën tënde.
Çdokush që ka një pronë trashëgimi në malet e Shqipërisë, mund të aplikojë në bashki dhe nëse askush nuk pretendon atë tokë dhe ajo tokë është vërtetë e paraardhësve të atij personi që aplikon, mund të investojë. Paketa e Maleve është një moment i artë për turizmin. Të shfrytëzojmë edhe malet për të fuqizuar ekonomikisht Shqipërinë. Ne duam që 20 milionë turistë të vizitojnë në të ardhmen vendin tonë”, tha Rama.
/tvklan.al












Botërori 2026 