Kryeministri Edi Rama, nga Brukseli, ku mori pjesë në “EuroNews Enlargement Summit” sot më 3 nëntor, ka komentuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Rama tha se Shqipëria po punon fort që të mbyllë negociatat me BE-në brenda vitit 2027. Kryeministri shqiptar vlerësoi se Tirana zyrtare vijon që të bëjë detyrat e saj dhe se vendimi është një çështje, që nuk varet nga Shqipëria.

“Me Bashkimin Europian nuk i dihet kurrë, sepse ka pasur raste që edhe afatet janë shkelur. Ne dimë se ka një plan dhe ne po punojmë që të mbyllim negociatat. Kur vjen puna tek 27 vendet e BE-së, kjo është më e ndërlikuar. Shqipëria parashikon se do i mbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027. Ne bëjmë punët tona, që na janë ngarkuar. Ne nuk jemi Zvicra, kemi probleme dhe prandaj jemi në procesin e integrimit për në Bashkimin Europian.

Po ne kemi probleme dhe ne në këtë proces po përballemi me problemet që kemi. Kemi ardhur nga një histori mizore dhe jemi këtu duke ecur me hapa galopantë. Për ne, pikë referimi është Bashkimi Europian. Me BE-në, është një martesë, që është e parashikueshme. Kemi punuar shumë fort, nuk ka qenë e lehtë dhe ekipi ynë në Bruksel ka punuar për integrimin”, tha Rama.

U pyet edhe për protestat në Tiranë. Kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka hedhur një hap historik e se tani nuk protestohet më për mjetet bazë të jetesës, por për pritshmëri të larta. Sipas kryeministrit Rama, pjesa më e dëmtuar në protesta ka qenë Policia e Shtetit.

“Kjo është tepër e ndërlikuar. Por di të them që Shqipëria është në një tjetër fazë, kemi hedhur një hap historik, nga një vend me probleme të shumta tek një vend me pritshmëri të larta. Vjen një kohë që nuk përballesh më me nevoja, por me pritshmëri të tjera. Kishim protestues, që ishin të dhunshëm. Në këto demonstrata, policia ishte pala më e dëmtuar. Nëse shikoni disa media në Shqipëri, mendon se ka “dhunë policore”, por nuk është kështu. Po përballemi me një brez, me të cilin nuk është e lehtë të përballesh.

Ditën që unë do mendoj se nuk kam nevojë të ndryshoj dhe qeveria nuk ka nevojë që të ndryshojë, unë do e lë këtë punë. Jeta ime ka qenë një ndryshim i vazhdueshëm, sepse unë jetoj për ndryshimin. Protesta ka të bëjë me botën e re ku jetojmë. Është një realitet, që do bëhet gjithmonë e më i vështirë për Europën dhe demokracinë. Po jetojmë në përplasje realitetesh, që sapo ka zënë fill. Unë kam bërë thirrje për dialog e më thonë që duhet të ikësh. Por unë këtë punë e kam nga populli shqiptar. Pra nuk flasin e nuk bëjnë dialog. Nuk është populli shqiptar në rrugë, janë njerëz në rrugë që mendojnë se duhet të iki”, u shpreh Rama.

/tvklan.al