Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e quajti historike vizitën e zv/presidentit amerikan, Joseph Biden në Prishtinë.

Ai tha se raportet mes dy vendeve do të thellohen edhe më tepër pas kësaj ngjarjeje. Duke u ndërlidhur me mesazhet qe Biden ka dhënë në Beograd Thaçi tha se porositë e administratës amerikane gjithnjë kanë qenë të qarta.

Numri një i ekzekutivit pohoi se tashmë është e qartë se vendi ka një mbështetje të fortë dhe sipas tij institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme për marrëdhënie të mira në rajon edhe në Serbi.

Hashim Thaçi: “Prandaj mesazhet janë për mbështetjen e paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit”.

Vizitën e Joseph Biden në Kosovë e mbështet dhe e quan po ashtu historike edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai tha se e enjtja në Kosovë do të jetë ditë e madhe për vendin me vetë faktin se Biden njihet nga populli si përkrahës i madh për lirinë edhe demokracinë e vendit.

Ramush Haradinaj: “Është një dëshmi që në angazhimet e administratës të presidentit Obama, të zv/presidentit Biden Kosova e ka një vend të merituar”.

Institucionet vendore tashmë janë të përgatitura për ta pritur sa më mirë zyrtarin e lartë amerikan.

Për këtë janë pastruar të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe janë aktivizuar aktivitete të ndryshme për ta nderuar mysafirin e dëshiruar në vend./tvklan.al