Portugalia barazon me Irlandën, Suedia mundet nga Gjeorgjia

Nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola Portugalia e Cristiano Ronaldo në fushën e Irlandës. Shënuesi më i mirë me përfaqësueset nuk arriti të përmirësojë rekordin kësaj here.

Portugalia do të zhvillojë të dielën një ndeshje shumë të rëndësishme, pasi është një përballje direkte për vendin e parë në Grupin A që të kualifikon finalet e Botërorit 2022.

Kundërshtari është Serbia që ka të njëjtat pikë me Portugalinë. Hap fals i Suedisë që u mund 2 – 0 nga Gjeorgjia duke vendosur në diskutim kualifikimin. Spanja mori kryesimin në Grupin B falë fitores 1 – 0 ndaj Greqisë.

Kreu me sa duket do të vendoset në përballjen direkte që do të luhet të dielën në Sevilje mes Spanjës dhe Suedisë ku vendasve u mjafton vetëm 1 barazim. Rusia është shumë pranë finaleve të Katar 2022.

Kjo falë fitores 6 – 0 ndaj Qipros në Grupin H. Përfaqësuesja ruse tani është në vendin e parë me 2 pikë më shumë se Kroacia që mundi Maltën 7 – 1. Gjermania shënoi fitoren më të thellë të mbrëmjes, 9 – 0 ndaj Lihtenshtejnit.

Përfaqësuesja e drejtuar nga Hans Flick e ka siguruar vendin në finalet e Botërorit më parë. Maqedonia e Veriut fitoi thellë 5 – 0 në fushën e Armenisë, duke u ngjitur në vendin e dytë në Grupin J.

Në të tretin zbriti Rumania që barazoi pa gola me Islandën. Ndeshjet e fundit do të vendosin skuadrën që do të shkojë në play off.

Tv Klan