Insider ka shkruar shkurtimisht për historinë e një 30-vjeçari të quajtur Ty Autry. Autry është rritur në Gjeorgjinë jugore si pjesëtar i një familjeje mjaft konservatore dhe të dhënë pas fesë katolike. Ai është fëmija më i madh nga 4 vëllezërit.

Autry rrëfen se në familjen e tij flitej çdo ditë për Biblën dhe dije mbi fenë kishte marrë dhe në shkollë. Kur ai mbushi 14-vjeç u zhvendos në një shkollë private, moment ky që do shënonte një ndryshim drastik për të.

Një djalë në shkollë më jepte flutura në stomak sa herë e shihja”, shprehet ai. Autry sot e thotë pa drojë se dikur kishte ndjenja të forta për një djalë me të cilin nisi dhe të shkëmbente mesazhe.

Por teksa ai nuk po kuptonte ç’po ndodhte me të në një moshë të tillë, mamasë së tij nuk i kishte shpëtuar asgjë. Një ditë ajo i kërkoi t’i kontrollonte telefonin, dhe pavarësisht se Autry nuk pranoi, e ëma e tij pa të gjitha mesazhet romantike mes djemve adoleshentë.

“Prindërit e mi fillimisht u përpoqën të më ndalonin të performoja në shfaqje tek ajo shkollë, por unë iu luta të qëndroja. Ramë dakord që babai im do vinte çdo ditë me mua kur bënim provat, në mënyrë që të sigurohej se s’do kisha asnjë kontakt me djalin që më pëlqente”, shton ai.

Teksa kthehet mbrapa në ato ditë, ai shprehet me keqardhje për mënyrën si prindërit e tij u sollën me të, pasi thotë se ishte një fëmijë shumë i bindur.

“Disa javë më vonë më çuan në kishë. Më morën telefonin dhe më mbyllën Facebook-un. Më detyruan t’i shkruaja një letër djalit që pëlqeja ku i thoja se ajo që po bënim ishte mëkat dhe se nuk e doja më. M’u thye zemra! Më pas babai im më dërgoi te një terapist, pasi donte të më konvertonte medoemos në njeri normal sipas tij. 3 vjet e gjysmë unë bëja konsulta të tilla. Edhe pse nuk flisja shumë me ta, asgjë nuk ndryshoi te orientimi im seksual. Një ditë babai im më tha se duhet të provonim ekzorcizmin (praktikë fetare ose shpirtërore e dëbimit të demonëve), pasi ai ishte i bindur se mua më kishte pushtuar një demon. Më mësuan me pikë e presje se si duhet të flisja me djemtë. Më mbyllën në vetvete dhe më bënë të dukesha në sytë e të gjithëve si një djalë që pëlqente vajzat”, rrëfen ai.

Autry thotë se madje një periudhë u detyrua të dilte me një vajzë vetëm për t’ju bërë qejfin prindërve, por thashethemet mbi të nuk e lanë as të shkollohej.

“Pak para se të mbushja 16 vjeç, u përpoqa të bëja një jetë të fshehtë të dyfishtë. U thashë terapistit tim të konvertimit, prindërve dhe pastorit të gjitha gënjeshtrat që donin të dëgjonin. Por, kjo nuk zgjati shumë. Babai im më kapi mat teksa po puthesha në rrugë me një djalë. Më ndaluan çdo rrjet social, më linin të shkoja vetëm në kishë dhe i shtuan seancat me terapistin. Pastori më tha se unë s’isha më i denjë për atë vend. Mbaj mend që e pyeta Zotin: Pse unë? Përpiqesha të kuptoja pse po ndëshkohesha për të qenë vetvetja. Pyesja veten pse kisha që e doja dhe e mbështesja ishte kaq kundër meje?! Më në fund, mësova të shërohem nga trauma. Kur mbusha 17 vjeç, më në fund thashë me vete: Ky jam unë! Nisa të shkruaj një dramë të titulluar “Një përrallë jugore”, bazuar në përvojën time. Kam pesë vjet që bëj turne dhe performoj nëpër botë. Mami e ka parë shfaqjen dy herë. Herën e parë, ajo u mërzit. Por së bashku e shëruam traumën tonë. Me kalimin e kohës, në shfaqjet e mia flisja shumë për dashurinë e prindërve ndaj fëmijëve e cila shpesh është edhe e dëmshme.”

Pas këtyre shfaqjeve që morën vëmendjen e shumë njerëzve, Autry më në fund mori një ndjesë nga nëna e tij. Por babai, shprehet ai nuk e ka bërë kurrë këtë gjë.

Në moshën 30-vjeçare, tani e jetoj jetën time si homoseksual dhe kam një marrëdhënie të mirë me mamanë time, e cila është divorcuar nga babai im. Jeta ime tani është jashtëzakonisht e shkëlqyer”, përfundon Autry./tvklan.al