Gjykata Kushtetuese ka pranuar sot më 9 tetor pjesërisht ankimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 22 prill 2025.
Me këtë vendim, çështja është kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Berisha kishte kërkuar shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për masën e sigurisë ndaj tij. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë me shumicë votash.
Njoftimi
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e z. Sali Berisha, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 1 (87-2025-1), datë 03.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën.
Në përfundim, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, datë 22.04.2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.
4. Shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin, në vlerën 60.000 lekë, i ngarkohen Ministrisë së Financave
Kujtojmë se Kushtetuesja kishte rrëzuar më herët dhe masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryedemokratin.
Më 3 mars të këtij viti, GJK arriti në përfundimin se vendimi i SPAK, dy shkallëve të Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Lartë për të mbajtur liderin e opozitës, Sali Berisha, në arrest shtëpie për 1 vit ishte antikushtetues.
Trupa gjykuese, e kryesuar nga Marsida Xhaferllari, kishte arritur në përfundimin se kufizimi i lirisë duhet të ishte në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë dhe se të trija gjykatat kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke e mbajtur në arrest shtëpie Berishën për një kohë të tejzgjatur, pas masës së parë të marrë ndaj tij, që tejkalonte nevojat reale të procesit.












Botërori 2026 
