Kampioni i “Formula 1” Michael Schumacher raportohet të jetë ngritur nga shtrati, 5 vite pas aksidentit të rëndë që pësoi në Alpet franceze duke bërë ski. Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, 49-vjeçari po trajtohet me terapi që kushton rreth 50 mijë Paund në javë. Duket se trajtimi intensiv dhe kujdesi infermieror po japin rezultatet e duhura për legjendën e “Formula 1”.

Schumacher po qëndron në shtëpinë e tij pranë liqenit të Gjenevës në Zvicër, i rrethuar nga familjarët dhe një ekip mjekësh e infermierësh. “Daily Mail” raporton se ekziston mundësia që gjermani të transferohet në një klinikë në Dallas të Teksasit, SHBA, të specializuar për trajtimin e dëmtimeve në tru. Michael Schumacher përplasi kokën në një shkëmb duke bërë ski në Dhjetor të vitit 2013, pesë vite më parë. Ai ra në koma për disa kohë, ndërsa familja e tij qëndron hermetike në lidhje me informacionet për gjendjen e 49-vjeçarit. Bashkëshortja e tij ka preferuar mos të nxjerrë detaje në shtyp, duke kërkuar respektimin e privatësisë.

Nuk dihet sa i vërtetë mund të jetë ky informacion i “Daily Mail” që pretendon se Schumacher ka arritur të ngrihet nga shtrati me ndihmën e fizioterapistëve. Nëse do të jetë vërtetë i tillë, ky lajm do të gëzojë fansat e kampionit të “Formula 1” dhe dashamirësit e këtij sporti.

/tvklan.al