Ylli i Lakers e kthen parketin në ring boksi, përjashtohet nga gjyqtari

NBA -duket se është futur shumë shpejt në një fazë tepër të nxehtë dhe këtë e tregon më së miri dhuna e shfaqur në duelin mes Detroit dhe Los Anxheles Lakers. Protagonisti kryesor ishte padyshim ylli i koshit, LeBron James, i cili lëshoi një byrryl në fytyrën e rivalit të tij, Isaiah Stewart. Kjo acaroi situatën dhe bëri që sfida të ndërpritej për pak minuta.

Lojtari i Detroit tentoi konfrontimin fizik me James, teksa në fytyrë nisi t’i rridhte gjak. Kjo bëri që situata të dilte jashtë kontrollit, me Stewart që disa herë i shpëtoi dhe vëmendjes së shokëve të skuadrës dhe mjekëve për të tentuar sulmin ndaj James.

Ndaj dy basketbollistëve u morën masa ekstreme, me gjyqtarin që i përjashtoi si James ashtu edhe Stewart për shkak të veprimeve josportive në parket.

Sa i përket sfidës, Lakers triumfuan me shifrat 121-116, me vendimtar që ishte perioda e katërt ku miqtë dominuan duke e fituar me 20 pikë diferencë.

Klan News