Irani ka bërë një seri ndryshimesh në nivelet më të larta të sigurisë dhe ushtrisë, duke vendosur në poste kyçe figura me përvojë të gjatë në Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe në strukturat ushtarake të vendit. Emërimi më i rëndësishëm është ai i Mohsen Rezaee, ish-komandantit të përgjithshëm të IRGC-së, i cili është caktuar sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare (SNSC) dhe përfaqësues i Udhëheqësit Suprem Mojtaba Khamenei në këtë organ.
Rezaee, 71 vjeç, ka drejtuar Gardën Revolucionare për 16 vjet, përfshirë periudhën e luftës Iran-Irak gjatë viteve 1980. Përvoja e tij e gjatë në strukturat ushtarake dhe politike e bën atë një nga figurat më me ndikim që rikthehet në një rol të drejtpërdrejtë në aparatin e sigurisë së Iranit.
Emërimet e reja vijnë në një periudhë veçanërisht të tensionuar për Teheranin, pas përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Analistët i shohin ndryshimet si pjesë të një përpjekjeje për të konsoliduar kontrollin e udhëheqjes iraniane dhe për të koordinuar më ngushtë politikat ushtarake, diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë.
Sina Azodi, profesor asistent për politikën e Lindjes së Mesme në Universitetin George Uashington, tha se emërimi i Rezaee nuk tregon ndonjë zbutje të qëndrimit të Iranit ndaj negociatave me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, udhëheqja iraniane dhe drejtuesit e Gardës Revolucionare vazhdojnë ta konsiderojnë rezistencën ndaj SHBA-ve si të domosdoshme nga pikëpamja strategjike.
Rezaee gëzon autoritet të konsiderueshëm mes komandantëve të lartë të IRGC-së, por edhe brenda strukturave të saj më të gjera. Përvoja e tij në krijimin dhe konsolidimin e Gardës Revolucionare si një institucion ushtarak dhe politik e bën emërimin e tij veçanërisht të rëndësishëm.
Pas përfundimit të luftës Iran-Irak, Rezaee u zhvendos gradualisht drejt politikës dhe ekonomisë. Ai shërbeu për vite si sekretar i Këshillit të Përshtatshmërisë, një prej organeve kryesore politike të Iranit, dhe gjatë presidencës së Ebrahim Raisit mori përgjegjësi të larta për koordinimin ekonomik. Ai gjithashtu kandidoi disa herë për president, por nuk arriti të zgjidhej në postin më të lartë ekzekutiv të vendit.
Rikthimi i tij në uniformë ndodhi pas shpërthimit të konfliktit të fundit. Pak kohë pasi Mojtaba Khamenei mori drejtimin e vendit pas vrasjes së babait të tij, ajatollahut Ali Khamenei, Rezaee u emërua këshilltar ushtarak i udhëheqësit suprem. Që prej atëherë, ai ka mbajtur një qëndrim të ashpër publik ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe aktorëve të tjerë rajonalë.
Rezaee ka kundërshtuar gjithashtu marrëveshjen e mirëkuptimit të arritur me Shtetet e Bashkuara në qershor, e cila çoi përkohësisht në heqjen e bllokadës detare dhe pezullimin e disa sanksioneve ndaj naftës, duke lejuar rihapjen e ngushticës së Hormuzit. Ai kishte argumentuar se qëndrimi i tij ishte më afër pikëpamjeve të Mojtaba Khameneit, i cili, pavarësisht rezervave, kishte miratuar marrëveshjen.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare është një prej organeve më të rëndësishme të sistemit politik iranian. Në të marrin pjesë përfaqësues të presidencës, ministrisë së jashtme, forcave të armatosura, strukturave të sigurisë dhe inteligjencës. Këshilli koordinon gjithashtu komunikimin me zyrën e udhëheqësit suprem, i cili ka fjalën përfundimtare për vendimet e tij.
/tvklan.al












Botërori 2026 
