Të gjitha bashkësitë fetare në Shqipëri duke filluar nga sot do të përjashtohen nga pagimi i taksave, ndërsa asnjë nga aktivitetet e tyre nuk do të tatohet.

Ministri i Kulturës, Ylli Pango, dhe krerët e katër komuniteteve fetare në vend kanë firmosur marrëveshjen për rregullimin e lidhjeve të ndërsjella mes këshillit të ministrave dhe komuniteteve fetare, ku parashikohet ndër të tjera krijimi i lehtësirave fiskale për bashkësitë fetare, ku gjithashtu bëhet e mundur dhe përshpejtimi i punës për rikthimin dhe kompensimin e pronave të tyre, një problem kompleks ky që nuk ka gjetur zgjidhje në 18 vjet.

Për kryeministrin Berisha, i pranishëm në këtë ceremoni, por dhe për katër krerët e besimeve fetare marrëveshja është historike, rikthen bashkësive fetare të drejtat që u janë mohuar.

Sali Berisha: “Marrëveshja shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. Marrëveshja detyron qeverinë të bëjë ligjin e financimit të besimeve fetare. I jep fund një përjashtimi të pamerituar”.

Selim Muça: “Kjo marrëveshje është hartuar mbi bazën e parimeve kushtetuese. Ajo rregullon çështjet themelore të njohjes si dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shtetit dhe komuniteteve fetare në të mirë të shoqërisë shqiptare.”

Anastas Janullatus: “Pas kësaj ngjarje historike të shënuar komunitetet fetare do të kenë më tepër mundësinë për aktivitetet dhe iniciativat e tyre me qëllim lartësimin e njerëzve nga ana shpirtërore”.

Baba Reshat Bardhi: “Jam i emocionuar sepse 31 vjet më para ku shteti vërsulën me kazma, lopata për të prishur teqetë, xhamitë, kishat. Vështirë të sjellësh ndërmend një ditë të tillë historike.”

Imzot Rrok Mirdita: “Uroj që kjo marrëveshje mos të jetë vetëm një akt simbolik, por një shprehje e qartë e vullnetit të përbashkët të bashkësive fetare dhe shtetit shqiptar.”

Marrëveshja parashikon gjithashtu hartimin e një ligji specifik mbi financimin e bashkësive fetare nga shteti, ndërkohë që mësohet se këshilli i ministrave është duke hartuar dhe ligjin për fenë ku do të pasqyrohet e gjithë problematika e bashkësive dhe grupeve fetare në Shqipëri, problematikë e cila nuk është e pakët në vendin tonë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka