Trajneri Edi Reja ka rikthyer në ekip Ajetin dhe Doken, kuqezinjtë përballen me Izraelin dhe Islanden

Trajneri Edi Reja ka publikuar listën me 24 futbollistë për dy takimet e fundit të Ligës së Kombeve kundër Izraelit dhe Islandës. Kuqezinjtë nisin përgatitjet të dielën.

Trajneri i Shqipërisë, Edi Reja ka publikuar listën me 24 futbollistë për dy takimet e fundshtatorit ndaj Izraelit dhe Islandës, të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë do të nisin përgatitjet ditën e diel për përballjet që janë vendimtare për përfaqësuesen.  Tekniku italian nuk do të ketë të gatshëm për shkak të dëmtimeve futbollistët Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla, Rey Manaj e Odise Roshi.

Në kombëtare janë rikthyer Arlind Ajeti e Albi Doka, si edhe është ftuar sërish mbrojtësi i ri Adrian Bajrami.

Sa i përket tjetër të listës, grupi është i plotë me atë të ndeshjeve të fundit.

Përfaqësuesja kuqezi pas 5 ditësh përgatitje do të niset për në Izrael, ku të shtunën, më datë 24 shtator, në mbrëmje do të përballet me vendasit në stadiumin “Bloomfield” të Tel Avivit.

Tri ditë më pas, Shqipëria do të presë Islandën në stadiumin “Air Albania” në sfidën e fundit.

Kuqezinjtë janë në vend të fundit në Grupin B2, me vetëm 1 pikë të grumbulluar pas dy ndeshjeve të luajtura.

Klan News