Raportim Live
20:00, 7 Tetor 2024

Një protestues dhe një efektiv policie morën lëndime të lehta nga molotovi i hedhur para Bashkisë Tiranë

19:54, 7 Tetor 2024

Policët e pësojnë keq! I helmon gazi lotsjellës që hodhën drejt protestuesve

Gazi lotsjellës i hedhur në drejtim të protestuesve me qëllim shpërndarjen e tyre i ka helmuar dhe vetë punonjësit e policisë.

Këta të fundit nuk janë ndjerë mirë dhe janë zëvendësuar nga punonjës të tjerë policie pas tensioneve të krijuara para Bashkisë së Tiranës.

Protesta e “mosbindjes civile” të opozitës që ka nisur që prej orës 18:40 është shoqëruar me hedhje molotovësh në drejtim të disa prej institucioneve në kryeqytet.

Protestuesit e kanë nisur me Kryeministrisë, më pas me selinë e PS-së, Ministrinë e Brendshme për të vijuar me Bashkinë e Tiranës.

19:52, 7 Tetor 2024

Molotov në Bashkinë e Tiranës, policia hedh gaz lotsjellës dhe ujë drejt protestuesve

Uniformat blu kanë hedhur ujë dhe gaz lotsjellës pas tensioneve të krijuara në Bashkinë e Tiranës për të shpërndarë protestuesit.

19:49, 7 Tetor 2024

Protestuesit hedhin molotov para Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës

19:45, 7 Tetor 2024

Tensione tek Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës, protestuesit hedhin molotov

Pas selisë së PS-së dhe Kryeministrisë, protetsuesit kanë hedhur molotov drejt godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu disa të rinj i janë afruar derës së Ministrisë së Brendshme ku kanë tentuar që të hyjnë brenda, por pa sukses.

19:37, 7 Tetor 2024

Policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës

Pas hedhjes së molotovëve në drejtim të godinës së PS-së, uniformat blu kanë shpërndarë protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës.

19:35, 7 Tetor 2024

Foto: Flakë në selinë e PS

19:33, 7 Tetor 2024

Molotov drejt selisë së Partisë Socialiste

Protestuesit janë zhvendosur nga Kryeministria për në selinë e Partisë Socialiste, ku menjëherë kanë hedhur molotov në drejtim të ndërtesës. Si pasojë e flakëve, zjarri ka përfshirë banderolën me figurën e Kryeministrit Rama në fasadën e selisë.

19:23, 7 Tetor 2024

Bardhi-Noka

Gazment Bardhi pyetet nga gazetarët për vijimësinë e itinerarit, deputeti: Do ta shikoni hap pas hapi

19:20, 7 Tetor 2024

Protestuesit e opozitës marshojnë në rrugët e kryeqytetit

17:48, 7 Tetor 2024

Opozita proteston 3 orë me molotov kundër institucioneve: Sot nisi mosbindja civile (Të gjitha zhvillimet)

protesta 7 tetor opozita

Opozita protestoi të hënën për 3 orë kundër qeverisë Rama, duke nisur kështu ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov. Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov.

Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi në 21:30, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Për shkak të hedhjes së molotovëve, Policia e Shtetit njoftoi se 10 efektivë pësuan dëmtime.

Protestuesit shkatërruan edhe reklamat e vendosura në rrugë. Bllokime pati edhe për dy autoambulanca, që nuk u lejuan prej protestuesve të kalonin.

Ndërkohë, pas protestës, nëpër institucionet ku u hodh gaz lotsjellës, grupet hetimore të policisë nisën mbledhjen e provave materiale në vendngjarje. Ndërsa në afërsi të Bashkisë së Tiranës u sekuestruan rreth 15 shishe me molotov të ndara në dy çanta.

/tvklan.al