Aludimet për trajnerin e Liverpool duket se kanë marrë fund. Mediat gjermane raportojnë se trajneri i Sportingut të Lisbonës, Ruben Amorim ka arritur marrëveshjen verbale për të marrë drejtimin e skuadrës angleze. Sipas asaj që thekson “SKY Germany”, portugezi ka rënë dakord në parim për një kontratë trevjeçare.

Detajet mbeten për tu zbuluar, por bëhet fjalë për një hap të madh në karrierën e portugezit në botën e trajningut. Puna e mirë me talentët ka bindur drejtuesit e anglezëve, pasi është e ngjashme me filozofinë e tyre. 

39-vjeçari ka fituar dy Kupa të Ligës me Sportingun dhe është në rrugën e duhur për titullin e tij të dytë në kampionat këtë sezon, me skuadrën e tij katër pikë përpara Benfikës. Amorim do të pasojë në këtë detyrë, Jurgen Klopp, i cili ka njoftuar largimin nga ‘Anfield Road” në fund të sezonit.

Gjermani iu bashkua Liverpool në tetorin e vitit 2015 dhe ka fituar Ligën e Kampionëve, Premier Ligën, Kupën e Botës për Klube, Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Superkupën angleze.

Klan News