Furgoni me pasagjerë ra në kanal me ujë në Fier

Dhjetë qytetarë kanë mbetur të plagosur gjatë ditës së sotme si pasojë e tre aksidenteve të ndryshme të ndodhura në Elbasan, Fier dhe Lezhë.

Tre automjete u përplasën mes tyre paraditen e së shtunës në një aksident të ndodhur në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Pajovë, ku si pasojë pesë persona u plagosën, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Në orët e mbrëmjes një tjetër aksident u regjistrua në afërsi të Levanit në Fier, ku një automjet tip fugon doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë. Për pasojë janë plagosur tre persona, një grua në gjendje më të rëndë, e cila është nxjerrë nga makina vetëm pasi është prerë automjeti.

Një tjetër aksident ndodhi në autostradën Lezhë-Milot, ku për pasojë u plagosën dy persona.

Tv Klan