Gjashtë herë fituesi i MotoGP do të marrë pjesë në çmimin e madh të Aragonit, pas mungesës së gjatë si pasojë e një dëmtimi

Gjashtë herë kampioni i MotoGp Mark Markez do të rikthehet që të garojë në fundjavë në Çmimin e Madh të Aragonit.

Skuadra e tij e Hondës njoftoi se spanjolli është rikuperuar, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, e gjithashtu kreu teste me motor.

Në qershor, 29-vjeçari pati një operacion në dorën e djathtë e për rrjedhojë mungoi në gjashtë garat e fundit.

Por piloti i Moto Gp kreu prova në dy ditët e fundit në Misano, e me paraqitjen e tij i dha shpresë skuadrës se ai mund të rikthehet në pistë që të garojë.

Përveç provave, edhe stafi mjekësor dha miratimin për 29-vjeçarin.

Markez ka pasur probleme që kur theu dorën në vitin 2020 në Çmimin e Madh të Spanjës. Që atëherë u detyrua që të kryente katër ndërhyrje kirurgjikale.

Spanjolli nuk ka garuar që nga Çmimi i Madh i Italisë që u zhvillua në Maj.

Synimi i tij është që të garojë, e të jetë gati për të konkurruar për titullin kampion në sezonin e ardhshëm të MotoGp.

Pas mungesës së tij të gjatë, Markez gjendet në vend të 15 në renditjen e pilotëve, me 60 pikë të grumbulluara.

Klan News