Linja do të jetë 120 km, plotësisht e elektrifikuar

Pas akordit me BERZHIN në Londër, qeveria ka nënshkruar një tjetër marrëveshje huaje për investimin për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit, kësaj here me Bankën Europiane të Investimeve në vlerën e 100 milionë Eurove.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve, Kyriakos Kakouris.

Linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit do të jetë plotësisht e elektrifikuar dhe do të ketë një gjatësi 120 km. 12 stacione janë parashikuar përgjatë linjës, ku më kryesoret janë në Shkodër, Lezhë dhe Laç. Shpejtësia e trenit do të arrijë në 120 km/orë.

⁠Gara për ndërtimin do të shpallet brenda këtij viti, ndërkohë që punimet pritet të nisin në fillim të vitit 2025. Një grant në vlerën e 125,8 milionë Eurove do të jepet për këtë projekt nga Bashkimi Europian, si pjesë e Kornizës së Investimeve te Ballkanit Perëndimor.

Pas linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, e cila do të ketë një degëzim në afërsi të aeroportit të Rinasit, Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë i madhor për infrastrukturën hekurudhore shqiptare.

Ndërtimi i dy linjave Tiranë-Durrës dhe Vorë-Hani i Hotit do të rikthejë transportin hekurudhor, i cili në 30 vitet e fundit ka degraduar, duke u kthyer në transportin më pak të përdorur në vend si për mallrat, ashtu dhe njerëzit.

Tv Klan