1 vit pa Kobe Bryant

Më 26 Janar 2020 e gjithë bota u trondit. Një helikopter me 9 persona në bord ishte rrëzuar në rrethinat e Los Angeles. Mes atyre edhe Kobe Bryant, një nga ikonat e basketbollit botëror dhe të NBA-së, që humbi jetën bashkë me vajzën e tij Gianna dhe 7 persona të tjerë. Kobe, i lindur në Philadelphia, kaloi shumë vite të jetës së tij në Itali, për të ndjekur babanë e tij Joe. Zbarkimi në NBA e bëri atë një legjendë, teksa shumë rekorde të tij ende nuk janë thyer. Një jetë të tërë me skuadrën e Lakers, aty ku “Black Mamba” fitoi 5 tituj kampionë.

Kobe Bryant fitoi edhe 2 medalje të arta olimpike me kombëtaren amerikane, duke u krahasuar shpesh me Michael Jordan. Gjithmonë i karikuar në fushë, ku luante me grintë dhe dëshirën për të fituar gjithçka, duke e kthyer në një kampion të padiskutueshëm dhe në një personazh të dashur jo vetëm në NBA, Amerikë, por në të gjithë botën. Në karrierën e tij, më 22 Janar 2006, ai realizoi rekordin personal të 81 pikëve në një ndeshje ndaj Torontos. Ndërsa në vitin 2018, ai fitoi çmimin “Oscar” për filmat e animuar me metrazh të shkurtër. 

Ai la pas bashkëshorten Vanessa dhe 3 vajza të tjera, ndërkohë që Gianna, që ashtu si babai luante basketboll, e ndoqi me vete në qiell. Skuadra e Lakers u rikthye kampione e NBA-së dhe ky titull iu dedikua pikërisht Kobe Bryant./tvklan.al