Ofertë nga PSG deri në 2025 me 30 mln euro në sezon

30 milionë euro në sezon me një kontratë që mund të zgjatet deri në 2025 e kanë bërë Lionel Messin që të ulet të mendojë mirë për të ardhmen.

Lajmet që Barcelona ka në plan ta rikthejë argjentinasin në Kamp Nou pa kosto janë marrë seriozisht nga klubi i PSG. Francezët nuk janë vonuar dhe për t’i paraprirë një vendimi të mundshëm të futbollistit hedhin një hap gjigand për ta mbajtur në Paris.

Kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në 2023 me opsionin për ta zgjatur edhe me një tjetër vit. Sipas radios spanjolle Cadena Ser, presidenti i klubit Naser Al Khelaifi i ka ofruar një kontratë me një vit më shumë, plus opsionin për të rinovuar me një tjetër sezon. Nëse pranon, Mesi do të ketë mundësinë të qëndrojë deri në 2025, kur të jetë 38 vjeç. Vlera financiare e kontratës është 30 milionë euro neto në një sezon.

Në sezonin që lamë pas, argjetinasi nuk arriti të shfaqte më të mirën e tij pasi mesa duket nuk e gjente veten në rreshtimin e PSG. Njohja me shokët e skuadrës, sollën një ndryshim rrënjësor dhe fillimi i sezonit aktual është i shkëlqyer. Edhe me kombëtaren e Argjentinës po paraqitet mjaft mirë duke e pozicionuar përfaqësuesen në një nga pretendentet për kupën e botës.

Tv Klan