Ish-futbollisti Migen Memelli, në një intervistë për Klan News, komentoi performancën dhe rezultatet që dha Kombëtarja jonë në sfidën me Italinë. Kampionatin Europian, Shqipëria e nisi me humbje, pasi Italia doli në avantazhin 2-1.

Memelli duke u nisur nga rezultatet u shpreh optimist për vazhdimësinë e rrugëtimit të ekipit tonë të futbollit, por theksoi se nga ndeshja e kaluar duhet të nxirren mësime të vlefshme dhe se Kombëtarja duhet të jetë në nivelet e duhura të Kampionatit Europian. Ndërkaq ai komentoi edhe golin spektakolar në pak sekonda të Nedim Bajramit.

“Rekordet janë bërë për t’u thyer, sepse ky është futbolli ky është kompeticioni surpriza duhet të ketë gjithmonë. Për mua është një lojtar shumë i rëndësishëm i ekipit tonë kombëtar, është një lojtar i fortë me cilësi edhe pse unë kam mendimin që ne nuk jemi shumë mirë në kombëtaren shqiptare, por duhet të kemi një grup të fortë lojtarësh sepse vetëm në këtë formë mund të ecim përpara.

Gjithsesi jo vetëm Bajrami, por edhe lojtarë të tjerë duhet të ngrihen në nivelin e kompeticionit. Kjo është ajo që duhet të bëjmë nga tani e tutje, të vijmë në nivelin e kompeticionit dhe të fillojmë të ambientohemi edhe pse nuk duhet të harrojmë që në grup na kanë rënë tre skuadra shumë të forta si Spanja dy herë fituese e këtij kompeticioni, Italia dy herë fituese, por dhe Kroacia që në këto dy vitet e fundit ka bërë risi. Ndeshja e parë ka emocion, por tani mendoj se kjo është larguar nga lojtarët. Mendoj që tani duhet të kemi një vazhdimësi për të përballuar një ndeshje, megjithëse unë mendoj që përsëri do të ketë tifozë të pranishëm me Kroacinë,” përfundoi fjalën e tij ish-futbollisti Memelli.

/tvklan.al