Milani po përgatitet të rikthehet te Adidas. Një bashkëpunim me vlerë të madhe ekonomike, por edhe simbolike, që rikthen kujtimet e një prej periudhave më të lavdishme në historinë e klubit kuqezi.

Partneriteti i ri pritet të nisë në verën e vitit 2028 dhe do të ketë një vlerë prej rreth 50 milionë eurosh në sezon, me një kohëzgjatje prej 10 vitesh.

Në total, marrëveshja mund të arrijë të paktën 500 milionë euro, duke përfaqësuar një rritje të rëndësishme të të ardhurave komerciale për klubin e drejtuar nga RedBird.

Kjo marrëveshje është pjesë e projektit më të gjerë të Milanit për të rritur vlerën e markës dhe të ardhurat e tij, pas nismës së lidhur me të drejtat e emërtimit të stadiumit të ri, të zhvilluar në bashkëpunim me Generali dhe Interin.

Megjithatë, rikthimi i tri vijave ikonike nuk është vetëm një çështje financiare. Adidas dhe Milani kanë ndarë së bashku disa nga momentet më të rëndësishme të historisë kuqezi.

Bashkëpunimi i tyre lidhet me një epokë të artë, të shënuar nga trofe të shumtë dhe suksese që kanë lënë gjurmë në futbollin europian.

Mes kujtimeve më të veçanta janë triumfet në Champions League në vitet 2003 dhe 2007, të dyja të fituara nën drejtimin e Carlo Ancelottit.

Fanellat e asaj periudhe, të veshura nga kampionë të mëdhenj, janë kthyer në simbole të një prej cikleve më të suksesshme në historinë e klubit.

Klan News

/tvklan.al