Benzema mposht Shakhtar, Real Madrid prek kualifikimin

Real Madrid ka hedhur kandidaturën për të kaluar në fazën me eliminim direkt në Champions League. Spanjollët mposhtën 2-1 Shakhtar Donetsk falë një dopiete të Karim Benzema. Francezi hapi dhe mbylli llogaritë për t’i dhënë fitoren e tretë Real në katër ndeshjet e para.

Fernando barazoi rezultatin momental në minutën e 39-të, gjithsesi nuk mjaftoi për t’i dhënë një pikë ukrainasve. Kjo pasi Benzema shënoi sërish, e cila sigloi një paraqitje brilante të tij në ‘Santiago Bernabeu”. Real gjendet në vendin e parë të grupit D me 9 pikë, ndërsa Shkahtar është praktikisht jashtë Europës ku numëron vetëm një pikë në grup.

Pikën e parë në këtë edicion të Champions League e shijoi Milan. Kuqezinjtë barazuan 1-1 me Porton duke ndërlikuar jo pak pozitat për të vijuar eksperiencën në Europë. Portugezët gjetën shumë shpejt rrjetën me anë të Diaz. Italianët u përpoqën të reagojnë dhe ia dolën në fakt, pasi në një prej aksioneve të tyre detyruan Mbemba të shënonte autogol dhe t’i jepte pikën e parë kuqezinjve.

Klan News