Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka njoftuar sot në 22 prill shpalljen e Manastirit të Kryeengjëjve në Derviçan si “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë.

Ky vendim vlerëson rëndësinë historike, shpirtërore dhe arkitekturore të kompleksit në zonën e Dropullit. Manastiri përbëhet nga kisha dhe konakët, të ndërtuar me traditë të vjetër të gurit.

Sipas ministrit, objekti dëshmon organizimin e jetës monastike ndër shekuj. Vendimi është marrë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër. Po ashtu është përcaktuar edhe zona e mbrojtur për konakët e manastirit.

Kjo masë synon të garantojë mbrojtjen ligjore të të gjithë ansamblit historik. Projekti përfshin ndërhyrje restauruese dhe konsolidim të strukturave të dëmtuara. Punimet synojnë rikthimin e funksionalitetit dhe jetësimit të manastirit. Autoritetet synojnë gjithashtu promovimin e tij si pjesë e trashëgimisë dhe turizmit kulturor në vend.

Postimi i ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja:

Një nga ansamblet më të rëndësishme shpirtërore dhe arkitekturore të zonës, në Derviçan të Dropullit me vlera të spikatura historike dhe identitare.  Kompleksi, i përbërë nga kisha dhe konakët, dëshmon traditën e ndërtimit në gur dhe organizimin e jetës monastike ndër shekuj.

Në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër është realizuar shpallja e kishës si pasuri kulturore “Monument Kulture” i kategorisë së parë, si dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur për konakët, duke garantuar mbrojtjen ligjore të të gjithë ansamblit.   

Ndërhyrja e propozuar përbën ndërhyrjen e parë të plotë për ringritjen e konakëve, të cilët aktualisht janë në gjendje të degraduar. Ajo përfshin pastrimin, konsolidimin e muraturës dhe rindërtimin e elementeve tradicionale si çatitë, dyshemetë dhe strukturat prej druri.

Miratimi i projektit hap rrugën për nisjen e punimeve të zbatimit, të cilat synojnë rikthimin e funksionit dhe jetueshmërisë së manastirit, duke e kthyer atë në një hapësirë të gjallë për komunitetin dhe trashëgiminë kulturore, si dhe duke pasuruar iteneraret turistike të vendit.  Së bashku me kryebashkiakun e Dropullit Dhimitraq Toli dhe organizatat partnere po punojmë për shpëtimin, rijetëzimin dhe promovimin e objekteve e qendrave historike si dhe restaurimin e evokimin e vlerave kulturore përmes statuseve mbrojtëse që mobilizojnë financime projektesh e rimëkëmbje ekonomike lokale të qendrueshme.