Maska me detyrim dhe distancim mes nxënësve

Fëmijët do të dëmtoheshin më shumë nëse nuk kthehen në shkollë muajin e ardhshëm sesa nëse preken nga koronavirusi.

Sugjerimin e bën kreu i ekspertëve britanikë Chris Whitty, që shton se “shanset e fëmijëve që humbin jetën nga Covid-19 janë jashtëzakonisht të vogla”, por mësimet e humbura “i dëmtojnë ata në planin afatgjatë”.

Miliona nxënës në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriore do të kthehen në shkollë brenda disa javësh, ndërsa Skocia i ka hapur tashmë dyert. Por a do ta përhapin fëmijët virusin tek prindërit dhe gjyshërit?

Profesori britanik thotë se “ka shumë më pak transmetim nga fëmijët te të rriturit se sa tek të rriturit me njëri-tjetrin”, ndaj bën apel që këta të fundit të shmangin kontaktet në dyert e shkollave apo klasa.

Në vendet e tjera të Europës, Franca e testoi hapjen e shkollave që në Maj, por hasi në shfaqjen e një sërë vatrash.

Tashmë qeveria franceze ka vendosur maskën të detyrueshme për fëmijët mbi 11 vjeç dhe distancë të bankave 1 metër nga njëra-tjetra. Pas disa testimeve, Gjermania do të hapë të gjitha shkollat në Shtator, por nëse shifrat do të përkeqësohen ka parashikuar rikthimin në banka të nxënësve për 4 ose 5 orë në javë.

Disa rajone nuk e kanë të detyrueshme maskën për fëmijët, të tjerë janë treguar më të ashpër. Spanja dhe Italia, 2 vendet evropiane më të goditur nga pandemia, kanë bërë maskën të detyrueshme, distancim të nxënëse dhe matje të temperaturës së secilit prej tyre.

Në shumicën e vendeve, fëmijët do të bëjnë mësim në grupe më të vogla për të shmangur sa më shumë kontaktet mes tyre.

Tv Klan