Ministria e Jashtme ruse i ka quajtur “absurde” spekulimet sipas të cilave Moska po minon procesin e paqes në Ukrainë.

“Spekulimet nga disa media perëndimore se pala ruse po pengon procesin e zgjidhjes nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në një deklaratë zyrtare të ministrisë, ku nënvizohet se “qëndrimi i Moskës është konsistent”.

Ministria vuri në dukje se mediat si “Bloomberg”, “Wall Street Journal” dhe shumë publikime të tjera perëndimore e kanë “akuzuar drejtpërdrejt” ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për “minimin e marrëveshjeve ruso-amerikane në nivelin më të lartë në Alaska”, për shkak të deklaratave të tij të një dite më parë, kur u shpreh se është e papranueshme që Rusia të përjashtohet nga pjesëmarrja në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën.

“Si mund të përfundohet nga fjalët e Lavrov-it se Rusia po ‘minon procesin e zgjidhjes’? Përkundrazi, qëndrimi i Rusisë është konsistent dhe deklaratat e ministrit konfirmojnë tezat për krizën ukrainase, të përsëritura nga presidenti rus”, thuhet më tej në deklaratë.

Ministria thekson gjithashtu se “në këtë situatë, nuk është e tepërt të kujtohet se, sipas Kushtetutës së Federatës Ruse, Ministria e Jashtme zbaton vijën e politikës së jashtme të përcaktuar nga presidenti, gjë të cilën Lavrov e bën personalisht”.

Në fund, Moska e përmbyll reagimin duke e cilësuar këtë si një “spekulim absurd i mediave perëndimore mbi çështje të ndjeshme të axhendës ndërkombëtare” dhe kërkon edhe një herë “qasje kritike ndaj këtyre lloj trillimeve”./tvklan.al

/tvklan.al