Bergamaskët fituan 3-2 duke u futur në luftën për titull në Seria A

Atalanta e Gasperinit nuk është më një skuadre që thjesht luan bukur por një prej pretendenteve për të fituar titullin e Seria A. Bergamasket kanë dalë triumfues në sfidën ndaj Napolit kryesues duke e ngushtuar diferencën nga vendi i parë në vetëm 4 pikë. Falë një loje spektakolare Atalanta ka fituar 3-2 në Napoli në një ndeshje ku fituesi ndërroi kah disa herë.

Skuadra e Gasperinit hyri në fuqishëm në lojë duke kaluar në avantazh që në minutën e 7-të me anë të Malinovskit. Napoli, që ishte me disa mungesa të rëndësishme në formacion për shkak dëmtimesh, si Kulibali, Insinje e Fabian Ruiz, fillimisht e pati të vështirë të reagonte ndaj presionit të bergamaskeve.

Skuadra vendase u detyrua që të mbrohej në vend që të kërkonte golin e barazimit. Gjithsesi me kalimin e minutave skuadra e Spaletit arriti të balanconte lojën dhe në fund të pjesës së parë të gjente edhe golin e barazimit me ane të Zielinskit.

Pjesa e dytë nisi në mënyrë të përkryer për Napolin që kaloi në avantazh me Mertens. Përmbysja e rezultatit dhe entuziazmi i stadiumit “Maradona” nuk e gjunjëzoi Atalantën që tregoi karakter në këtë momente të vështirë, duke reaguar.

Fillimisht Zapata u ndal nga shtylla, por më pas në minutën e 66 qendërmbrojtësi Demiral duke vepruar si një sulmues i mirëfilltë ka shënuar një gol spektakolar. 5 minuta më vonë me anë të një aksioni model bergamasket kanë gjetur edhe golin e përmbysjes me anë të Frojler.

Në minutat e mbetura Napoli nuk kishte me fuqinë e duhur për të barazuar duke pësuar humbjen e dytë për këtë sezon që e ka zbritur në vendin e tretë. Tashmë Seria A kryesohet nga Milani me 38 pike ndërsa në vend të dytë është ngjitur Interi me 37.

Klan News