Koronavirusi ka demonstruar nevojën për siguri që nuk është ekskluzivisht ushtarake, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në konferencën online “NATO 2030”. I pyetur nëse NATO e sheh Kinën si një armik të ri, ai u përgjigj se Kina nuk është armik, por se po ndryshon gjithnjë e më shumë balancën e fuqisë në botë.

“Kina po bëhet ekonomia më e madhe në botë. Ata po investojnë shumë në teknologji të reja. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Amerika dhe Evropa të punojnë së bashku. E gjithë kjo paraqet një kërcënim për NATO-n, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi edhe më të fortë dhe të zhvillohemi në mënyrë që t’i kundërvihemi kësaj”.

Stoltenberg tha se Rusia vazhdon aktivitetet e saj ushtarake dhe po përdor forcën kundër fqinjëve të saj.

“Moska nuk duhet të dyshojë në gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur aleatët e saj, por aleanca do të vazhdojë të bashkëpunojë me Rusinë dhe të punojë në kontrollin e armëve”.

Stoltenberg theksoi se përveç kërcënimeve ushtarake, Aleanca po përballet me rreziqe siç janë pandemitë, kërcënimet në internet, por edhe propaganda dhe përhapja e lajmeve të rreme. Shefi i NATO-s shpreson se niveli i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian do të rritet në dekadën e ardhshme, por ajo nuk mund të zëvendësojë NATO-n.

Klan Plus