21-vjeçari Aldi Rama, i cili vrau oficerin e Krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, ka ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në spitalin e Traumës në Tiranë. Policia ka njoftuar zyrtarisht se Rama ka ndërruar jetë rreth orës 5:35 pasi kishte marrë plagë të rënda në kokë si pasojë e vetëplagosjes.

Rreth orës 10:30 të së martës, një grup i Policisë së Lezhës po bënte një kontroll në Ishull Lezhë, në zonën e mbrojtur Laguna e Vainit, kur ka pikasur një automjet të dyshimtë.
Grupi i policisë prej 3 vetash, e ka ndalur automjetin, ndërsa menjëherë ka ndodhur edhe shkrepja e armës, ku plumbi në zemër është qëlluar drejt oficerit të Krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili u nis menjëherë për në spital, por ndërroi jetë.

Pas ngjarjes, Aldi Rama u largua me një automjet. Në kërkim të tij u vunë forcat RENEA dhe FNSH. Prej disa orësh ai qëndroi i fshehur mes bimësisë në zonën e pyllëzuar, por pasi u rrethua nga forca të shumta policie tentoi të vetëvritej me armë.
Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Oficeri i Krimeve, Saimir Hoxha, ishte baba i dy fëmijëve. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, deklaroi pas ngjarjes së rëndë se kanë nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha “Dëshmor i Atdheut”, duke i siguruar atij dhe familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.
Dalin pamjet e rënda të Aldi Ramës kur u gjet i vetëplagosur nga policia

Ky është Aldi Rama në momentin kur u gjet nga autoritetet policore, pas operacionit disa orësh për kapjen e tij. 21-vjeçari qëlloi veten me armë ndërkohë që ndodhej i fshehur në shkurre. Ai dyshohet se kishte kohë që ishte vetëqëlluar me pistoletë kur u gjet nga forcat speciale.
21-vjeçari, i cili paraditen e së martës i mori jetën oficerit të policisë Saimir Hoxha në zonën në Ishull Lezhë pasi ky i fundit e ndaloi për verifikim, qëlloi veten disa orë pas krimit.
Ndonëse mbeti i plagosur rëndë nga plumbi që mori në kokë, Aldi Rama arriti të mbijetonte deri mëngjesin e kësaj të mërkure, kur ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Detaje të reja për vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha

Burime pranë grupit hetimor për Klan News bëjnë me dije se autori Aldi Rama ka pasur me vete dy krëhëra postolete. Njërin prej të cilëve e kishte hedhur në vendngjarje pasi qëlloi 44 vjeçarin Hoxha. Tjetri u gjet në vendin ku 21-vjeçari Rama qëlloi veten.
Sipas grupit hetimor, fillimisht Rama ka qëlluar ndaj efektivit nga sendilja e pasme e mjetit me një plumb në qafë. Ka dalë nga makina për t’u ulur në vendin e shoferit dhe aty e ka qëlluar me një plumb në bark duke i përshkruar pranë zemrës.
Vendngjarje u gjetën 8 gëzhoja të qitura nga pistoleta TT e autorit dhe 7 të tjera të qitura nga dy efektivët e tjerë, kolegë të Saimir Hoxhës.
E gjithë ngjarja ka ndodhur 500 metra nga parcela ku efektivët kishin asgjësuar 110 rrënjë kanabis. Mostrat e lëndës narkotike u gjetën në makinën e policisë.
Vrasja e oficerit të policisë, arrestohen 2 personat që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë Saimir Hoxha, në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i Armando Markut, 26 vjeç dhe Kristian Sherit, 27 vjeç, banues në Lezhë.
Ndërkohë, rreth orës 05:35 të mëngjesit të sotëm, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama.
Ekspertët mjeko-ligjorë, në prezencë të grupit hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po kryejnë autopsinë dhe gjithë veprimet e tjera ligjore.
Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Homazhe në Pallatin e Kongreseve në nder të oficerit Saimir Hoxha

Policia e Shtetit ka njoftuar se homazhet në nder të oficerit të policisë, Saimir Hoxha, do të mbahen këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve.
“Ju informoj se homazhet në nder të oficerit të Policisë të vrarë në krye të detyrës do të mbahen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00”, thuhet në një njoftim për mediat.
Oficeri Saimir Hoxha, 44 vjeç, u vra të martën pasi u qëllua me dy plumba, një në zemër dhe një në qafë, nga Aldi Rama. Ky i fundit u arratis për disa orë, por kur pa që u rrethua tentoi të vetëvritej. Për pasojë mori plagë të rënda në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës, por ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
Hoxha do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Këtë e konfirmoi të martën ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi kur tha se po kryhen procedurat përkatëse duke i siguruar atij dhe familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm. 44-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve.
“Të gjithë e lëvdonin! 44 vjeç të futesh në dhe…” Banorët, të tronditur nga vrasja e oficerit Saimir Hoxha
Vrasja e nënkomisarit të policisë, Saimir Hoxha, ka tronditur mbarë opinionin publik, e sigurisht edhe vetë qytetarët e Lezhës. Një prej tyre, në një prononcim për Klan News tregon se e ka njohur oficerin 44-vjeçar nëpërmjet një miku e thotë se i ndjeri gëzonte vlerësim në komunitet.
“Të gjithë e lëvdonin… sido që të jetë ai ishte në krye të detyrës. Sido të jetë nuk ka pasur ndonjë hall të madh ai, kontroll rutinë ishte. Është një ngjarje… 44 vjeç të futesh në dhe domethënë, për një diçka që nuk ishte as përplasje fizike ose me armë… Edhe ia vëmë fajin vetëm policisë gjithmonë. Çfarë? Policia do na vejë nga një polic çdo njeriu?”
Ndonëse autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, 21-vjeçari Aldi Rama, ka jetuar në lagjen e tij, qytetari thotë se nuk e ka njohur. Ai shton ndër të tjera se konsumi i kanabisit nga të rinjtë është kthyer në diçka normale.
“Të shikosh tamam-tamam në këtë moshë 21 vjeç me armë, edhe policët çfarë mund të bënin. Ajo mund të ketë ndodhur për një sekondë. A t’i bini pas nënkomisarit apo atij, ata kishin hall me shpëtuar kolegun e tyre. Është një ngjarje që ndodh shpesh në Shqipëri, e kjo është qysh me depot e armëve… Edhe të rinjtë pa punë… janë të gjithë që thonë për kanabis, po në çdo vend i ke të rinjtë, plot-plot, vjen era tym po të kalosh në shëtitoren në darkë, vjen era tym. Gjithë mosha e tyre duke pirë hashash, sepse është sheshit”.
Në shtëpinë e Aldi Ramës, gazetarja: Mbante gjithë kohës armë me vete. Babain dyshohet se e ka burg
Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një oficer policie u vra nga dora e një të riu, gazetarja e Klan News, Vera Deda shkoi në shtëpinë ku jetonte 21-vjeçari Aldi Rama, në Lezhë. Ajo tregon se të afërmit e tij nuk pranojnë të prononcohen për ngjarjen e rëndë. Gazetarja tregon se i riu njihej si problematik dhe se mbante gjithë kohës armë me vete. Po ashtu gazetarja thotë se dyshohet që i ati është në burg në Greqi.
Spikerja: Çfarë thonë për Aldi Ramën, kohët e fundit ka patur sjellje ndryshe? Si përshkruhet nga familjarët dhe çfarë e ka shtyrë deri në këtë akt? Ka patur problematika të tjera?
Gazetarja: Sigurisht ajo çfarë ne dimë deri më tani është se familja e tij është e divorcuar, i ati është në Greqi dhe sipas informacioneve që ne kemi, është në burg. Ndoshta këto probleme sociale, ekonomike të familjes së tij e kanë detyruar që të marri një rrugë jo shumë të mirë.
Që në moshën 16 vjeçe ai ka marrë dënim për mbajtje të lëndëve narkotike ndërsa në moshën 18 vjeçe është dënuar për armëmbajtje pa leje. Dënim të cilin e vuante apo e shlyente me anë të shërbimit të provës deri në momentin e djeshëm ku u plagos dhe më pas edhe ndërroi jetë.
Në fakt edhe njerëzit të cilët e njihnin, e njihnin pak si problematik Aldi Ramën, i cili sigurisht ishte një i ri që mbante gjithë kohës edhe armë me vete. Prandaj edhe shoqëria e njihnin si një problem, si një person me precedent penal dhe që nuk kishte sjellje të mira në shoqëri.
“Nuk jam vrasës, por mos më nxisni”, mesazhi që jepte Aldi Rama me tatuazhet

Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau ditën e martë oficerin e policisë Saimir Hoxha ka qenë një person problematik. Edhe pse i ri, ai mbante mbi supe disa vepra penale.
Në rrjetet sociale, Rama reklamonte fotot e tij me armë, ndërkohë që siç duket edhe nga fotot në trup ka pasur tatuazhe me mesazhe të forta.
“Nuk jam vrasës, por mos më nxisni”, kishte shkruar në krah 21-vjeçari.
21-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Në vitin 2018 kur ishte 18 vjeç ai i kishte vjedhur telefonin të dashurës, e kishte detyruar të konsumonte lëndë narkotike dhe më pas kishte kryer marrëdhënie seksuale me të në prani të dy shokëve të tij. Në atë kohë, policia i ka gjetur në banesën ku jetonte me gjyshin një qese me kanabis.
Gjykata e dënoi për këtë rast me 3.4 vite burg vetëm për vjedhje dhe kultivim kanabisi. Më pas u pezullua ekzekutimi i dënimit për pjesën e mbetur dhe e vendosi në shërbim prove.
Aldi Rama ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të mërkure në spitalin e Traumës në Tiranë pas plagëve që i shkaktoi vetes pas arratisjes nga vendi ku vrau 44-vjeçarin Saimir Hoxha./tvklan.al












Botërori 2026 
