“Antikushtetues, diskriminohet sektori i ndërtimit”

Shoqata e ndërtuesve del kundër ndryshimeve të ligjit për strehimin social ku sektorit të ndërtimit i merret 3 % mbi 2 mijë metra katror. Sipas drejtuesve të Shoqatës së Ndërtimit, ky ligj është antikushtetues.

“Për një plagë e madhe siç është ajo e strehimit social, ky ligj ngarkon edhe rëndon me taksa vetëm sektorin e ndërtimit, duke e diskriminuar haptas këtë sektor. Ne si ndërtues kemi mbështetur çdo kërkesë të ardhur nga qeveria dhe pushteti vendor për të dhënë kontributin tonë shoqëror, edhe për raste të ndërtimit të banesave sociale, por ky nuk është kushti që vetëm ky sektor do të jetë kontribuues, duke e kthyer një mjet publik në një”, thotë Erjon Harizi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve.

Sipas tyre janë disa arsye që ndryshimet e ligjit për strehimin social bien në kundërshtim me Kushtetutën.

“Së pari. Në aspektin kushtetues, ky detyrim që i kërkohet vetëm shoqërive ndërtuese për dhënien për strehim social të së paktën 3% të sipërfaqes së ndërtimit; (përveç pagesës së 11 % të vlerës së investimit). I. Nuk është një detyrim që lind nga ligji apo kontrata; II. Është një detyrim me natyrë diskriminuese; III. Nuk është në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar; IV. Tejkalon kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Së dyti. Ligjvënësi nuk ka dhënë asnjë justifikim për këtë trajtim të pabarabartë dhe së treti, në relacionin e përgatitur nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.22/2018 “Për strehimin social” nuk është analizuar përputhshmëria e këtij ligji me aktet ndërkombëtare të detyrueshme apo me praktika të tjera ndërkombëtare që zbatohen njëlloj ndaj shoqërive ndërtuese në vende të tjera”.

Sipas ndërtuesve, ashtu si gjatë procesit të hartimit të ligjit në 2018, por edhe në amendimet që po shqyrtohen në Kuvend, mungon një studim për të pastrehët, se sa është fatura totale e të pastrehëve, si dhe sa të pastrehë janë strehuar deri tani në banesat sociale të marra nga ndërtuesit.

Sipas amendimeve të ligjit për strehimin social, nëse sipërfaqja mbi 2000 metra katrorë është e vogël dhe nuk përkthehet në njësi banimi, mund të konvertohet me vlerë tregu në vlerë monetare nga ndërtuesi për llogari të pushtetit vendor.

Tv Klan