Komisioneri Varheleyi nuk e fsheh zhgënjimin ndaj Sofjes

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska  deklaron se përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është një kusht që duhet përmbushur përpara se vendi të fillojë negociatat e anëtarësimit në BE.

Teodora Gençovska: Kushti i këtillë është vërtetuar në Deklaratën e Kuvendit dhe në zgjidhjet e Këshillit konsultativ për siguri kombëtare. Në këtë fazë, ata duhet ta zbatojnë këtë, e më pas të nisin negociatat. Nuk e di çfarë sinjalesh ka dhënë Kryeministri Petkov, por ky është qëndrimi ynë.

Komisioneri për Zgjerimin e BE është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Sofje, ku do të takohet  me drejtuesit e lartë të këtij shtetit me synimin për zhbllokimin e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila pengon dhe në mënyrë indirekte edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave.

Varhelyi duke folur në forumin e Sofjes nuk mund ta fshehte zhgënjimin pasi ende diskutohet çështja e RMV-së dhe Shqipërisë, duke bërë deklaratën e fortë mbi pushtetin e BE-së për këto dy vende.

Oliver Varhelji: Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Ndaj, ne duhet t’i besojmë vetes tonë dhe fuqisë që kemi dhe mendoj, se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian duhet t’i besojnë natyrës transformuese të zgjerimit tê Bashkimit Europian.

Pas 21 viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim, 15 vite nga marrja e statusit të kandidatit dhe 13 rekomandimeve të njëpasnjëshme, Maqedonia e Veriut ende është në pritje të negociatave me BE-në.

Ministri Bujar Osmani asgjë të re nuk kishte për t`i thënë moderatores së Forumit të Sofjes, Federika Mogerini, rreth kredibilitetit të procesit të zgjerimit. Por, në Forumin e Sofjes janë dëgjuar edhe qëndrime se duhet të hiqet vetoja bullgare.

Tv Klan