Nëna e Rolandit, i cili ndan historinë e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, ka përjetuar një kalvar vuajtjesh me shëndetin. Një aksident në moshën 6-vjeçare i solli vite më vonë një problem të zemrës që i kërcënoi jetën dy herë dhe me shumë vështirësi, mundi të rikthehej në jetë.

Pas herës së dytë, Rolandi rrëfen momentin kur mjeku i kërkoi që nëna t’i nënshtrohej një tjetër ndërhyrjeje në Itali. Ajo rezultoi e suksesshme, por fati deshi që nëna të ndodhej sërish përpara luftës për jetë a vdekje nën duart e mjekëve.

Roland: Mjeku kardiolog, doktor Metliu që gjej rastin ta falenderoj publikisht, që i jam mirënjohës tërë jetën, në qoftë se nëna jeton, jeton falë tij. Më merr dhe më hedh dorën në qafë dhe më thotë, “edhe unë të isha në vendin tuaj, për nënën do të bëja atë që bëtë juve”. Dhe më tha “ke njeri jashtë shtetit?” I them kam babanë. “Ku e ke?” Në Itali. “Shkëlqyeshëm, atëherë merrni kontakt me babanë dhe i thoni që ta marrë në Itali. Është një operacion që zgjat 15-20 minuta dhe nëna sikur s’i ka ndodhur gjë”. Lumturoja nga gëzimi e hidhesha përpjetë dhe mezi prisja të shkoja brenda në spital t’i thosha mamasë. Babai fillon të merret me dokumentacionin për ta marrë mamanë bashkim familjar. Para se ta marrë mamanë mjeku më thotë mua që “mamaja do shërohet me këtë po të shkojë në Itali, por unë mendoj se ajo ka një stres vdekjeprurës, që kjo e kish shoqëruar”.

Ardit Gjebrea: Ç’do të thotë kjo?

Roland: Është një stres që të krijohet nga trauma, nga frika, ndoshta nga ai aksidenti që pësoi kur ishte e vogël. Pasi shkoi në Itali, operohet, desh Zoti doli mirë. Pas disa viteve i del një gjëndër në kraharor, në mushkëri.

Ardit Gjebrea: Në gjoks.

Roland: Në gjoks dhe nga kurajoja e madhe që kishte, nga forca, u thoshte mjekëve që “unë nuk do vdes, unë do shpëtoj edhe kësaj radhe se kam fëmijët që më presin në Shqipëri”. Dhe ashtu ndodhi, deshi fati shpëtoi edhe asaj radhe./tvklan.al

/tvklan.al