Tenderi për identifikimin dhe zgjedhja e anëtarëve të KQZ përplas palët

Pikërisht kur pritej edhe mbyllja e draftit për reformën elektorale, procesi ka hyrë në ngërç në tryezën e Këshillit Politik. Shkak për përplasjen e radhës është bërë një propozimi i sjellë nga Partia Demokratike për sanksionimin e një procedure të përshpejtuar dhe negocim të kufizuar për zhvillimin e prokurimit të teknologjisë për identifikimin biometrik në zgjedhje.

“Nuk di që në Kodin Zgjedhor të shkruhen procedura tenderimi dhe PD kërkon këtë gjë. Ne i dhamë nënkomisionerin me të drejta si komisioneri, por besoj se nuk është normale që një ligj zgjedhor të përfshihet me procedura tenderimi”, tha Gjiknuri

Mosdakordësi pati edhe për formulën e zgjedhjes së anëtarëve në tre organet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Demokratët propozuan që të ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e përzgjedhjes së organeve të reja në sistemin e drejtësisë.

“Ne kemi bërë propozim sot për një formulë të emërimit të anëtarëve të tre trupave të KQZ nëpërmjet një formule të mirëpranuar dhe të kolauduar që sot është në Kushtetutë, formula për zgjedhjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ. Është një formulë që u kundërshtua nga maxhoranca socialiste pa asnjë arsyetim. Nuk i intereson për një arsye shumë të thjeshtë sepse i intereson kapja e plotë e KQZ në të tre organet”, tha Bylykbashi.

Por mazhoranca e sheh këtë propozim të sjellë në tryezën e këshillit nga demokratët rikthim në formulën aktuale të KQZ-së.

“Ky ishte një devijim i paparashikuar i takimit dhe duhet të reflektojnë. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare siç janë sot dhe duan të kthehen te KQZ aktuale, është më e ndershme të mbajmë atë që kemi nuk kemi pse bëjmë gjithë këtë debat”, tha Gjiknuri.

Formula e sjellë nga opozita parashikon tre faza; kontrollin e kritereve formale nga një institucion i pavarur kushtetues, si Avokati i Popullit, zgjedhjen nga një komisioni përzgjedhës i kandidatëve me përbërje të balancuar 3 mazhoranca dhe 2 opozita, si dhe votimin e listës në bllok nga Kuvendi.

Tv Klan