Palët ende larg konsensusit për ndryshimet kushtetuese

Këshilli Politik do të mblidhet sërish pasditen e sotme, për të diskutuar në lidhje me ndryshimet kushtetuese që do të miratohen ditën e nesërme në parlament.

Por palët ende duken larg arritjes së një konsensusi, pavarësisht thirrjeve në rritje për dialog e mirëbesim nga ana e faktorit ndërkombëtar në Tiranë.

Në email-in dërguar bashkëkryetarit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, opozita rithekson gadishmërinë e saj për të vijuar dialogun, me qëllim ecjen përpara në një proces gjithëpërfshirës dhe një produkt konsensual.

Sipas saj ndryshimi kushtetues dhe rregullat shoqëruese të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave, duhet të shkojnë si një paketë e vetme për miratim në Parlament.

Në kundërpërgjigje Gjiknuri shpreson në reflektimin e opozitës jashtë parlamentit, duke i kujtuar kësaj të fundit se duhet të kthejë përgjigje për propozimin e maxhorancës që së pari të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe më pas të diskutohen detajet që do të reflektohen në Kodin Zgjedhor.

Tv Klan