Kanë filluar punimet për ndërtimin e aksit rrugor që do të lidhë qytetin e Lezhës me komunat Kallmet e Kolsh.

Faza e parë e projektit me një vlerë prej 300 milion lekë të reja, bashkëfinancimi i Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare do të shtrihet deri në fshatin Troshan të komunës Blinisht.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve mori pjesë deputeti Preç Zogaj. Sipas tij kjo është një vepër e madhe ku përfituesit janë një komunitet i gjerë, ndërsa ka deklaruar se është financuar dhe faza e dytë dhe shumë shpejt do të bëhet tenderimi dhe fillimi i punimeve.

Preç Zogaj: “Banorët e qytetit të Lezhës, banorët e komunës Kolsh dhe banorët e komunës Kallmet kanë një lajm të gëzuar sepse në harkun e pak muajve do të kenë këtë rrugë të asfaltuar sipas standardeve bashkëkohore, gjë që do t’ju vijë në ndihmë atyre, do t’ju vijë në ndihmë të gjithë fermerëve, të gjithë biznesit, të gjithë banorëve për t’u lidhur me qytetin, për t’u lidhur me njëri-tjetrin”.

Faza e parë prej 12.8 kilometër do të përfundojë brenda këtij viti, ndërsa i gjithë aksi që lidh Lezhën me Shkodrën nëpërmjet zonave rurale do të përfundojë në harkun kohor të 12 muajve.

Pas këtij investimi i hapet rrugë të tjera ndërhyrjeve në zonat rurale të qarkut Lezhë, të cilat vazhdojnë të kenë probleme në infrastrukturën rrugore./tvklan.al