Raportim Live

Zgjedhja e Presidentit, seanca në Kuvendin e Kosovës shtyhet për nesër

Seanca për zgjedhjen e Presidentit në Kuvendin e Kosovës do të vijojë të martën në orën 10:00, pas përfundimit të raundit të parë të votimit, i cili u mbajt pa praninë e partive opozitare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se procesi do të vazhdojë ditën e nesërme.

Në raundin e parë, kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Ndërkohë, kandidatja tjetër, Hatixhe Hoxha, nuk arriti të marrë asnjë votë.

Votimi në raundin e parë: Feride Rushiti merr 63 vota

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.

download app

Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?  

Teksa votimi në Kuvend për presidentin e ri po vazhdon, Rel risjell në vëmendje një aktgjykim për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, të publikuar më 2011 nga Gjykata Kushtetuese.

Më 22 shkurt 2011, Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimit me 62 vota, në një seancë të bojkotuar nga një pjesë e opozitës. Në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë.

Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 30 mars 2011, interpretoi nenin 86 të Kushtetutës duke theksuar se formulimi “dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve” nënkupton pjesëmarrjen në votim të të gjithë 120 deputetëve, përveç atyre me leje mungese.

Sipas Gjykatës, vetëm pasi të provohet se nuk sigurohen 80 vota në dy rundet e para, mund të kalohet në rundin e tretë.

Duke qenë se në rastin e Pacollit në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ky kusht nuk ishte përmbushur dhe se procedura e zgjedhjes së presidentit kishte shkelur Kushtetutën.

Zemaj: Ky është puç kushtetues

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka cilësuar si “puç kushtetues” votimin në Kuvend për presidentin e ri, pa praninë e deputetëve të opozitës.

Ai ka publikuar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Behxhet Pacollin, që gjeti se Pacolli u zgjodh në mënyrë të kundërligjshme president, pasi për të nuk kishin marrë pjesë në votim dy e treta e deputetëve, apo 80.

Artan Behrami: LVV po tenton të prodhojë artificialisht fajtorë të paqenë

Ndërkohë që në Kuvendin e Kosovës po zhvillohet seanca për zgjedhjen e presidentit, pa praninë e opozitës, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se LVV-ja po tenton që të prodhojë “artificialisht fajtorë të paqenë” për një proces, që sipas tij, vetë Qeveria është përgjegjëse.

“Paramendo, i ka pasur 75 ditë që nga seanca e parë konstituive për të gjetur konsensus për një emër të presidentit”, shkroi ai.

Nis votimi për dy kandidatet për president, opozita bojkton seancën

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për nisjen e votimit për dy kandidatet për presidente të Kosovës: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Megjithatë, në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe ato të opozitës po i bojkotojnë punimet.

Komisioni i jep dritën e gjelbër dy kandidateve

Komisioni për legjislacion ka shqyrtuar dokumentacionin e dy kandidateve për president dhe pas shqyrtimit konstatoi se ato mund të hidhen në votim.

Votimi për president bëhet me votim të fshehtë. Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave, ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.

Nëse nuk marrin votat e nevojshme, shpërndahet Kuvendi dhe vendi shkon në zgjedhje.

Mblidhet Komisioni për legjislacion  

Me kërkesë të kryeparlamentares Haxhiu, Komisioni për legjislacion ka nisur mbledhjen për të shqyrtuar nëse dy kandidatet plotësojnë kushtet për të kandiduar për presidente të Kosovës.

Më pas, në sallën plenare kryeparlamentarja Haxhiu po fton secilin deputet veç e veç që të shkojë në seancën e jashtëzakonshme.

Nagavci prezanton kandidaturën e Rushitit

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka nisur që të shpalosë para deputetëve biografinë e Feride Rushitit, drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“Ajo kontribuoi në thyerjen e heshtjes, luftimin e stigmës dhe ndryshimin e perceptimit shoqëror ndaj viktimave të dhunës seksuale”, tha Nagavci për punën e Rushitit.

Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit, kujtoi Nagavci.

Rushiti, dhe së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqen, shtoi ajo.

Në sallën plenare vetëm deputetë të shumicës parlamentare

Në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të hyjnë deputetë të legjislaturës së dhjetë.

Megjithë, deri më tani brenda sallës plenare shihen vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërkaq ulëset e deputetëve të opozitës janë bosh.