UEFA Nations League rikthehet… por këtë herë jo gjithçka është si më parë.

Në stolat e disa prej kombëtareve më të mëdha të Europës ka nisur një epokë e re. Emra legjendarë, trajnerë me trofe të panumërt dhe figura që kanë shkruar historinë e futbollit, tani përballen me sfidën më të madhe: të ndërtojnë suksesin me një kombëtare. Në Gjermani, një njohje e madhe e futbollit europian merr për herë të parë drejtimin e një përfaqësueseje.

Jurgen Klopp.

Pas më shumë se dy dekadash në futbollin e klubeve, nga Mainz te Borussia Dortmund e më pas Liverpool, Klopp hap një kapitull krejt të ri.

Ai rikthehet në Gjermani me një mision të qartë: t’i japë kombëtares ritmin, intensitetin dhe karakterin që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij. Dhe debutimi nuk mund të ishte më interesant.

Holandë – Gjermani.

Në krahun tjetër do të jetë një tjetër emër i madh.

Xavi Hernandes.

Një nga arkitektët e futbollit spanjoll si lojtar, kampion Europe dhe bote me Spanjën, fitues i  Ligës së Kampioneve dhe i titujve të shumtë me Barcelonën. Tani Xavi nis një aventurë të re në stolin e Holandës. Një lidhje që duket pothuajse natyrale, duke pasur parasysh ndikimin e Johan Krojf dhe traditës holandeze në formimin e tij futbollistik.

Në Francë, pritshmëritë janë edhe më të mëdha.  Zinedine Zidane rikthehet në qendër të skenës ndërkombëtare.

Legjenda franceze, kampion bote në 1998 dhe kampion Europe në 2000 si lojtar, tani merr drejtimin e kombëtares së vendit të tij.

Në pankinë, Zidane ka treguar se di të fitojë. Me Real Madridin ai shkroi historinë duke fituar tre Liga Kampionesh radhazi, ndërsa më pas shtoi edhe titullin e La Ligës.

Por drejtimi i Francës është një sfidë tjetër.

Këtë herë nuk ka një merkato, nuk ka afat transferimesh dhe nuk ka kohë për eksperimente të pafundme. Ka një grup lojtarësh, pak ndeshje dhe një objektiv: trofetë. Debutimi i Zidane vjen përballë Turqisë.

Edhe kampionia në fuqi e Ligës së Kombeve, Portugalia, ka ndryshuar timonier. Në stol është Jorge Jesus. Një trajner me eksperiencë të jashtëzakonshme, i cili ka fituar tituj në Portugali, Brazil dhe Arabinë Saudite.

Tani detyra është të mbrojë statusin e Portugalisë. Dhe në këtë mision, një emër mbetet në qendër të vëmendjes: Cristiano Ronaldo. Portugalia e nis aventurën kundër Uellsit.

Në Itali, historia përsëritet. Roberto Mancini rikthehet në stolin e Azzurrëve.

Trajneri që i dha Italisë lavdinë në EURO 2020 kërkon të ndërtojë një tjetër cikël fitues. Gjatë mandatit të tij të parë, Italia arriti edhe dy herë në podiumin e Ligës së Kombeve. Tani Mancini rikthehet me një premtim: një Itali që të luajë bukur, të fitojë dhe të rikthejë lidhjen emocionale me tifozët.

Përballë në ndeshjen e parë?

Belgjika.

Belgjika gjithashtu nis një kapitull të ri. Në stol ulet Mark van Bommel.

Ish-kapiteni i Holandës, me eksperiencë te PSV, Barcelona, Bayern München dhe Milan si lojtar, tashmë përballet me sfidën e parë të madhe në futbollin ndërkombëtar si trajner. Ai kërkon një Belgjikë të disiplinuar, ambicioze dhe të guximshme. Dhe testi i parë është pikërisht kundër Italisë së Mancinit.

Klan News

/tvklan.al