Kina kërkon dialog mes SHBA-ve dhe Iranit
Kina ka bërë thirrje për dialog mes SHBA-ve dhe Iranit, në një kohë kur Uashingtoni kërcënon me sanksione të reja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, tha se Pekini kundërshton sanksionet e njëanshme, pa bazë në të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, masat e tilla nuk duhet të vendosen pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Jian paralajmëroi se përdorimi i forcës ushtarake dhe presioni mund të përshkallëzojnë situatën.
Kina u bëri thirrje palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.
18 të vrarë dhe 756 të plagosur, bilanci amerikan nga lufta në Iran
Pentagoni ka raportuar se 774 ushtarakë amerikanë janë vrarë ose plagosur në luftën kundër Iranit.
Nga këta, 18 ushtarë kanë humbur jetën dhe 756 janë plagosur.
Të dhënat janë përditësuar pas përfundimit të armëpushimit me Teheranin të hënën.
Sipas Uashington Post, shifrat janë bazuar në të dhënat e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Që prej përfundimit të armëpushimit, asnjëra palë nuk ka rifilluar operacione luftarake në shkallë të gjerë.
Araghchi: Fushata ‘ekonomike’ e Trump do të dështojë
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se fushata ekonomike e presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit është e destinuar të dështojë.
Në një postim në X, Araghchi tha se Teherani është përballuar edhe më pare me presione dhe sanksione të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara.
Ai përmendi fushatat e mëparshme të presionit amerikan, duke theksuar se ato nuk arritën objektivat e tyre. Sipas Araghchit, edhe “operacioni ekonomik më shkatërrues” i shpallur tani nga Trump, do të përfundojë në dështim.
Araghchi dhe ministri i Jashtëm i Omanit diskutojnë për Hormuzin
Ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Omanit zhvilluan një bisedë telefonike për zhvillimet e fundit në rajon.
Abbas Araghchi dhe Badr Albusaidi diskutuan përpjekjet për krijimin e kushteve të favorshme për rifillimin e dialogut dhe negociatave.
Sipas agjencisë zyrtare të Omanit, në fokus ishin edhe zhvillimet që lidhen me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Të dyja palët shkëmbyen qëndrime mbi situatën e tensionuar në rajon. Biseda vjen në kuadër të përpjekjeve diplomatike për uljen e tensioneve dhe rikthimin e dialogut.
Turqia kërkon arrestimin e Netanyahut, kryeministri izraelit: Erdogan, diktator antisemit
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan si “diktator antisemit”.
Deklarata erdhi pasi Ministria turke e Drejtësisë lëshoi një urdhër-arresti ndaj Netanyahut. Netanyahu e akuzoi Erdoganin për masakrimin e kurdëve, mbështetjen e Hamasit dhe burgosjen e gazetarëve e politikanëve opozitarë.
Ai gjithashtu e akuzoi presidentin turk se po përpiqet të zgjerojë agresionin ndaj Izraelit në Siri. “Izraeli nuk do ta tolerojë këtë”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Netanyahut.
Hezbollahu nuk i trembet sanksioneve amerikane
Hezbollahu deklaroi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të na pengojnë” në rezistencën kundër Izraelit, pasi Uashingtoni shpalli sanksione të reja ndaj grupit, duke e akuzuar se i shërben Iranit.
Departamenti i Thesarit të SHBA-ve ndryshoi të enjten përcaktimin ligjor për Hezbollahun, duke pretenduar se ai vepron “në shërbim të regjimit iranian nën komandën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit”. Gjithashtu, u shpallën sanksione të reja ndaj 10 personave që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti që transferon para për Hezbollahun.
“Të gjitha këto sanksione dhe klasifikime të padrejta nuk do të na pengojnë të ndjekim rrugën e rezistencës dhe të drejtën e Libanit dhe libanezëve për të mbrojtur tokën, sovranitetin dhe burimet e tyre”, tha Hezbollahu në një deklaratë.
Grupi, i cili është i armatosur dhe pjesërisht i financuar nga Irani, theksoi se “nuk ka nevojë që dikush të dëshmojë identitetin dhe patriotizmin e tij libanez”. “Marrëdhënia jonë e ngushtë dhe vëllazërore me Republikën Islamike të Iranit është një marrëdhënie që e çmojmë dhe jemi krenarë për të”, thuhej në reagim.
Turqia kërkon “Red Notice” për Netanyahu-n
Turqia ka kërkuar nga Interpoli të lëshojë Red Notice për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe një tjetër të pandehur të identifikuar në aktakuzën turke si Afek Moskovitch, në lidhje me një çështje penale që i akuzon ata për “gjenocid” dhe krime të tjera që lidhen me ndërhyrjen izraelite ndaj një flotiljeje ndihmash të destinuara për Gazën në ujërat ndërkombëtare, tha të premten Ministri i Drejtësisë Akın Gürlek.
Gürlek tha se Ministria e Drejtësisë e Turqisë i kishte kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme të kërkonte njoftimet pas urdhrave të arrestit të lëshuara nga një gjykatë e Stambollit më 14 korrik 2026. Dokumentet përkatëse iu përcollën gjithashtu Ministrisë së Jashtme, shtoi ai.
“Lufta duhet të përfundojë tani, teksa Teherani është i fortë”

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha se do të ishte “më mirë” që lufta të përfundonte tani, ndërsa Teherani ndodhet në një pozicion force, raportoi të premten media shtetërore e vendit. Pezeshkian u shpreh se do të ishte “më mirë ta përfundojmë luftën sot, ndërsa jemi në një pozicion force dhe dinjiteti”.
Komentet e presidentit për dëshirën për t’i dhënë fund konfliktit erdhën ndërkohë që shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit paralajmëroi se çdo “kërcënim i ri” do të përballej me një përgjigje “shkatërruese”.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha të enjten se mund të vendoste në përdorim armë më “shkatërruese” nëse lufta rifillon, pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se kishte pezulluar bisedimet me Teheranin.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Ghalibaf, tha se Irani duhet të hartojë një plan për të përballuar “sanksionet e padrejta”. Deklarata e tij vjen pasi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, njoftoi sanksionet që i cilësoi si më të ashpra të vendosura ndonjëherë ndaj Iranit.
Tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit vijojnë të rriten, ndërsa Washingtoni po shton presionin ekonomik dhe ushtarak ndaj Teheranit. Në të njëjtën kohë, aeroplanmbajtësja USS George Washington ka mbërritur në Lindjen e Mesme, ndërsa USS Abraham Lincoln ka nisur kthimin drejt SHBA-ve.












Botërori 2026 
