Këto janë pamjet në rrugët e Tiranës. Duket se çdo gjë është kthyer në normalitet. Madje edhe qarkullimi i automjeteve, në shumë kryqëzime është rikthyer trafiku.

Qytetarët lëvizin normalisht. Por një pjesë e tyre janë ndërgjegjësuar, ata që ndihem më të rriskuar lëvizin me maska. Masat e marra nga qeveria sipas tyre janë të duhurat.

Por shumë prej tyre thonë se deri tani ishte logjike kufizimi i lëvizjes, më tej nuk ka më kuptim, pasi do e vuajë edhe më shumë ekonomia.

Ata shprehen se fashat e orareve duhet të hiqen fare. Ndërkohë që shtyrja e fatkeqësisë natyrore deri më 23 Qershor për qytetarët nuk është normale.

Prej kësaj të hëne janë hapur edhe disa biznese të tjera, si klinikat dentare, parukeritë dhe berberët.Madje këta të fundi shprehen se kanë pasur klientë edhe këtë ditë të parë.

Të hapura janë edhe dyqanet në qendrat tregtare. Por kanë një protokoll strikt që duhet ta përdorin për çdo qytetar që hyn në këto ambiente. Shitëset jashtë kamerave shprehen se si ditë e parë ka pasur klientë mjaftueshëm, më shumë se sa pritshmëritë e tyre.

Prej 8 Marsit, kur u zbulua rasti i parë me koronavirus në vendin tonë, sot janë zyrtarizuar vetëm 4 persona të rinj të infektuar. Prej tyre, 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër.

Numri total i të prekurve ka shkuar në 872 raste. Por të infektuar aktivë janë 187 persona. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të shtruar në të dy spitalet Covid janë 28 persona, 3 prej tyre në terapi intensive.

Klan Plus