Kryedemokrati Sali Berisha, zhvilloi një takim këtë të mërkurë, më 17 qershor, me përfaqësues të departamentit të arsimit në Partinë Demokratike.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te protesta qytetare duke shtuar se Partia Demokratike e mbështet fuqimisht atë.
“Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e qytetarëve dhe intelektualëve të saj. Një lëvizje rinore qytetare, për arsye tashmë të njohura, brutalitetit të egër, zvarritjes sikur të ishte një berr të një qytetari që protestonte në mënyrën më paqësore, rrethime me telat me gjemba, sikur të ishte një kamp përqendrimi i një komuniteti në shkelje më flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, por edhe ligjit ndërkombëtar, që detyron qeveritë të informojnë për çdo gjë dhe të diskutojnë për gjithçka që zhvillohet me komunitetin përkatës dhe Shqipëria është palë në këtë konventë.
Në mbrojtje të një kolonie të mahnitshme zogjsh dhe të një habitati me biodiversitet shumë të pasur, bëri që të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë të shpërthenin në një protestë, e cila në përmasat e saj nuk është parë kurrë në historinë e këtij vendi. Një protestë kaq e fuqishme, kaq masive, kaq e qëndrueshme, tejkalon të gjitha protestat e tjera. Një protestë e drejtë. Një protestë, që po të marrim tre elementët e parë të saj, brutalitetin ndaj qytetarit dhe shkeljen e të drejtave të tij, brutalitetin ndaj komunitetit dhe rrethimin me tela me gjemba dhe mungesën e plotë të transparencës për një dosje, e cila kishte të bënte me një peizazh të mbrojtur të vendit tonë. Në këtë kuadër, PD vendosi të respektojë në radhë të parë plotësisht këtë protestë, të cilën nuk e kishte thirrur ajo, por ta mbështesë fuqimisht, sepse kauza e saj ishte një kauzë e drejtë”, theksoi Berisha.
Kundërshtimi i “Paketës së Maleve”
Ai shtoi se Partia Demokratike ka kundërshtuar fuqishëm edhe projektin për “Paketën e Maleve”, pasi për Berishën kjo qasje u jep mundësi trafikantëve të pastrojnë paratë e tyre të drogës.
“Kundërshtuam “Paketën e Maleve”. Çfarë ishte Paketa e Maleve? Ishte sikur t’u krijoje baronëve, trafikantëve, t’u jepje prona publike e private për të investuar paratë e drogës së tyre. A mund të imagjinoni ju, që të përfitojë nga Paketa e Maleve, investitori në Hamallaj, ku është gjithsej 30 metra mbi nivelin e detit. Të përfitojë nga Paketa e Maleve, investitori në Maminas është gjithsesi 70 metra mbi nivelin e detit. Këtu na mbijnë malet”, tha ai.
Mbështetje për kërkesat e protestuesve
Ai theksoi se Partia Demokratike mirëpret kërkesat e protestuesve, të cilët vijojnë prej 17 ditësh rezistencën e tyre.
“Në mirëpritem me shumë kënaqësi kërkesat e protestuesve si për anulimin e këtyre ligjeve dhe ashtu për largimin e Edi Ramës. Ne zgjohemi ta mbështesim protestën dhe u bëjmë thirrje anëtarëve dhe mbështetësve tanë që të jenë çdo ditë në protestë”, shtoi Berisha.
Thirrja për pedagogët
Kryedemokrati u kërkoi pedagogëve të universiteteve të mbështesin qytetarët dhe të rinjtë, duke shtuar se kontributi i tyre është jetik për arritjen e sukseseve të protestës.
“Thirrja ime për ju, për pedagogët e universiteteve është të mendojnë se si të kontribuojnë në këtë protestë. Roli i studentëve dhe roli i juaj në mbështetje të saj është i jashtëzakonshëm. Kjo protestë ka zgjedhur rrugën paqësore, strikt paqësore të përballjes me regjimin, çka do të thotë që edhe mund të jetë më e zgjatur, por rezultatin do ta ketë. Nuk ka asnjë lloj mundësie që Edi Rama të shpëtojë nga ky zemërim i përgjithshëm popullor. Ju duhet të bëni gjithçka që ky zemërim të ketë sukses, kjo revoltë, kjo protestë të përfundojë me sukses.”, tha ai.
/tvklan.al












Botërori 2026 