Valët vdekjeprurëse të të nxehtit kanë goditur një pjesë të madhe të qyteteve në katër kontinente, e cila pritet të thyejë rekorde si vera më e nxehtë.

Temperaturat rekord në ditët e fundit kanë shkaktuar qindra, vdekje në të gjithë Azinë dhe Evropën. Italia ka rregjistruar temperatura deri në 39 gradë Celsius, ndërsa vendasit si dhe turistët shfrytëzuan shatërvanët për t’u freskuar.

Për të vizituar monumentet më të famshme të qytetit të përjetshëm, turistët mbanin rradhë për të mbushur ujë ndërsa shprehen se i nxehti në këtë muaj të vitit është i jashtëzakonshëm. Sipas faqes së internetit të parashikimit të motit iLMeteo.it, vala e të nxehtit “Minos”, e quajtur sipas mbretit mitologjik të Kretës, do të sjellë temperatura përvëluese në mbi 40 gradë Celsius përgjatë gjithë fundjavës.

Pamjet e kamerave termike me rreze infra të kuqe të vendosura nga Koloseu si dhe në Vatikan zbuluan se temperaturat e sipërfaqes tejkaluan 50 gradë Celsius. Sipas të dhënave nga Indeksi i ndryshimit klimatik të Climate Central, temperaturat në Romë dhe qytete të tjera italiane kanë arritur nivele të paprecedentë.

I nxehti përvëlues ka përfshirë një pjesë të madhe të Greqisë prej disa ditësh. Temperaturat në kryeqytetin e Athinës arritën 43 gradë Celsius, ishujt e Rodos dhe Samos rregjistruan gjithashtu temperaturë 40 gradë Celsius ndërsa rekordi u shënua në bregun veriperëndimor të Kretës me 44.5 gradë Celsius.

Zjarrfikësit dhe avionët grekë luftuan me flakët në qytetin e Koropit 30 kilometra në jug të Athinës ndërsa detyruan banorët të largoheshin nga shtëpitë dhe bizneset e tyre.

Trafiku u pezullua përgjatë një autostrade kryesore që lidh Koropin me rrethinat e Athinës. Disa shtëpi në fshatin Kitsi u dogjën dhe flakët dogjën edhe fusha me bar të thatë dhe ullinj.

Autoritetet në Hungari kanë shpallur alarmin e nivelit të tretë të nxehtësisë, më i larti i mundshëm. Vapa ekstreme përbën një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe ata me sëmundje kardiovaskulare. Autoritetet po u bëjnë thirrje njerëzve që të qëndrojnë të hidratuar dhe të shmangin lëvizjet gjatë orëve të pikut.

Në Arabinë Saudite, gati dy milionë pelegrinë myslimanë po përfundojnë haxhin në Xhaminë e Madhe në Mekë këtë javë mes temperaturave mbi 51 gradë Celsius. Më shumë se 1,000 njerëz kanë vdekur gjatë kryerjes së pelegrinazhit vjetor të Haxhit. Zyrtarët kanë deklaruar se shkaku kryesor i vdekjeve është nxehtësia ekstreme, ndërsa mijëra të tjerë po trajtohen në spitale. 

Klan News