Kjo sasi kanabisi që shihni në pamje me peshë totale prej 58 kilogramësh  po transportohej nga Tirana drejt Pogradecit me qëllim trafikun drejt Maqedonisë së Veriut. Autorë të trafikut janë Likë Basha 32 vjec, një 17-vjeçar dhe Erisa Fero 28 vjeç, punonjëse e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Policia njoftoi se kishte arrestuar të tre personat në zonën e Qafë Thanës pasi më herët kishte marrë informacione për planin e trafikut në rrugë operative.

I pari që ra në pranga është 32-vjeçari Basha i cili në momentin e ndërhyrjes pranë zonës së Linit në Pogradec ka qenë pranë makinës tip “Volkswagen”, ku pas kontrollit në bagazh u gjet edhe sasia e lëndës narkotike, e cila ishte e ndarë në 51 pako, të shënuara me pikë dhe kryq blu.

Për shkak të shenjave, hetuesit dyshojnë se kanabisi kishte dy blerës dhe informacionet janë se lënda është kultivuar në Shkodër.

Policia tha zyrtarisht se tre të arrestuarit kishin detyrë transportin e mallit nga Tirana në Qafë Thanë dhe më pas ajo do merrej nga dy persona të tjerë të shpallur tashmë në kërkim.

Me anë të një deklarate, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, njoftoi se kishte nisur procedurat për shkarkimin e 28-vjeçares me detyrë specialiste pranë sektorit përkatës të e-Albania.

Tv Klan